E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH, Fullani: Kostoja e lekut bëhet 4.75%

TIRANE- Banka e Shqipërisë uli për të dytën herë brenda 3 muajsh me 0.25 për qind normën bazë të interesit për lekun, me qëllim stimulimin e ekonomisë. Një vendim ky që pritet të reflektohet nga bankat e nivelit të dytë me ulje të interesave për kreditë dhe depozitat në lekë.

“Në bazë të këtij vendimi, interesi i marrëveshjes së riblerjes me afat njëjavor zbret në nivelin 4.75%”, tha Fullani.

Në daljen e parë publike në mandatin e dytë si guvernator, Fullani ka deklaruar se ekonomia shqiptare do të ndjejë efektet e krizës së Eurozonës, megjithëse po rritet pozitivisht.

“Analizat dhe projeksionet tona për të ardhmen sygjerojnë një rritje të moderuar të aktivitetit ekonomik gjatë pjesës së mbetur të vitit dhe njëkohësisht për vitin e ardhshëm. Ecuria e aktivitetit ekonomik në vend do të përcaktohet në një masë të madhe nga masa dhe shpejtësia e rigjallërimit të kërkesës së sektorit privat të ekonomisë, konsumit dhe investimeve private”, tha Guvernatori.

Fullani ka vlerësuar sistemin bankar si likuid. Ai ka deklaruar se bankat janë të gatshme të kreditojnë, edhe pse po tregohen më të kujdesshme.
(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: BSH, Fullani: Kostoja e lekut bëhet 4.75%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›