BSH: Investimet e huaja direkte u rritën me 12% në tremujorin e parë, kryeson Austria

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Investimet e huaja direkte në Shqipëri vijuan trendin rritës edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke arritur në rreth 404 milionë euro, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të Banka e Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte për periudhën janar-mars u rrit nga 361 milionë euro në vitin 2025, në 404 milionë euro këtë vit, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm të investitorëve të huaj për ekonominë shqiptare.
Referuar statistikave, Austria rezulton investitori më i madh në këtë periudhë, me rreth 60 milionë euro investime, pothuajse dyfish më shumë se një vit më parë. Investimet austriake janë përqendruar kryesisht në sektorin bankar, atë të sigurimeve, telekomunikacionit dhe energjisë.
Italia renditet e dyta me 49 milionë euro investime, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, Holanda mban vendin e tretë me një nivel investimesh pak më të ulët se një vit më parë.
Në listën e investitorëve kryesorë pasojnë Turqia me 47 milionë euro dhe Kosova me 32 milionë euro investime.
/r.e/a.f/