E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Kursi i këmbimit, drejt stabilizimit më 2010-n

Parashikim pesimist për muajt e ardhshëm. “Qeveria të ruajë borxhin publik”

Banka e Shqipërisë mendon se ekonomia shqiptare pritet të vuajë nga pasojat e krizës deri në mes të këtij viti, ndërsa e paralajmëroi sërish qeverinë të mos i rrisë shpenzimet përtej normës së rritjes së të ardhurave. BSH vlerëson se shqiptarët do të vuajnë nga një inflacion i konsiderueshëm për disa muaj, ndërsa shprehu besimin se çmimet pritet të stabilizohen së shpejti. Nga ana tjetër, BSH vlerëson se kushtet që përcaktojnë ecurinë e kursit të këmbimit të lekut me euron, duket se janë të stabilizuara dhe se për vitin 2010 nuk priten surpriza të hidhura për shqiptarët.

“Banka e Shqipërisë gjykon se balanca e faktorëve që ndikojnë mbi kursin e këmbimit paraqitet më e stabilizuar për vitin 2010”, deklaroi dje guvernatori Ardian Fullani, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. 
Deklarata mbi ecurinë e kursit të këmbimit është një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm për shkak se BSH ka refuzuar gjatë gjithë vitit të kaluar të ofrojë garanci verbale për vlerën e lekut. Leku shqiptar ka humbur rreth 12 për qind të vlerës kundrejt euros gjatë vitit të fundit dhe kursi i këmbimit është kthyer në një makth për disa dhjetëra mijëra familje shqiptare që kanë detyrime në euro dhe të ardhura në lekë. Në fakt, disa ekspertë bankarë e prisnin prej javësh ndërhyrjen verbale të BSH në mbrojtje të vlerës së lekut.

“Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë të kujdesshme monetare gjatë kësaj periudhe. Në thelb të kësaj politike ka qenë rritja e stimulit monetar në ekonomi, pa cenuar stabilitetin makroekonomik dhe duke mbajtur të stabilizuara pritjet e agjentëve ekonomikë”, tha Fullani.

Disa ekspertë mendojnë nga ana tjetër se kreditë e shumta që BSH u ka dhënë bankave të nivelit të dytë për likuiditet, janë pjesërisht përgjegjëse për ecurinë negative të lekut dhe se ndoshta banka qendrore është vonuar në tërheqjen e stimulit monetar.

Inflacioni në rritje

Të gjithë tashmë e kanë në qartë se rritja e çmimeve për shqiptarët do të përshpejtohet. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi së fundmi se presionet inflacioniste janë në rritje, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet partnere tregtare. Edhe Fullani e konfirmoi këtë pritshmëri, pavarësisht se, sipas tij, pas disa muajsh çmimet pritet të stabilizohen.

“Faktorizimi i rritjes së fundit të çmimit të energjisë elektrike në inflacionin e muajit shkurt, pritet të japë një ndikim prej rreth 0.5 pikësh përqindjeje në rritjen e normës së inflacionit vjetor”, deklaroi Fullani. Inflacioni ka qenë sakaq i lartë për shqiptarët gjatë muajve të fundit. Në janar, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të konsumit u rrit me 3.5 për qind në bazë vjetore, por grupi i ushqimeve u rrit me 6.8 për qind. Rritja e çmimeve të ushqimeve godet veçanërisht shtresat e varfra të shoqërisë shqiptare, përfshirë pensionistët, për shkak se të varfrit e përdorin pjesën dërrmuese të parave të veta për ushqime.

“Banka e Shqipërisë gjykon se veprimi i këtyre faktorëve do të jetë i përkohshëm, dhe se presioni i tyre në inflacion pritet të vijë gradualisht në rënie gjatë vitit 2010”, deklaroi Fullani.

Inflacion i lartë, interesa të larta

Prirjet për inflacion të lartë, si dhe fakti që stabiliteti i kursit të këmbimit nuk është ende i sigurt, e shtynë Bankën e Shqipërisë të mos e ulë koston bazë të parasë në ekonominë shqiptare. Siç ka deklaruar edhe më parë, BSH përsëriti dje faktin që vendimet e saj për interesin bazë do të varen nga pritshmëria e indeksit të çmimeve të konsumit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›