Carolina Lopez: Muzika më ktheu në Shqipëri
“Top Fest”, tashmë i shndërruar në skenën e promovimit të të rinjve, u ka hapur dyert edhe talenteve të reja shqiptare përtej kufijve. Carolina Lopez është një prej tyre. Në fakt, është gjysmëshqiptare. Ajo ka lindur në Gjermani nga një baba bolivian dhe një nënë shqiptare. Pjesë e një familje me tradita muzikore, e sprovuar në disa skena publike dhe private në Gjermani, ka ardhur të konkurrojë në edicionin e shtatë të festivalit të vetëm të muzikës moderne shqiptare. Për të kjo është hera e parë në “Top Fest”, por njëkohësisht edhe prezantimi i parë me publikun. “Me një njeri e bëj një botë”, një këngë me ritmet r&b e ngjit në skenë si këngëtare të re, por me ambicie. Me ca fjalë shqipe të përgjysmuara dhe një anglishte që e thërret në ndihmë kur nuk arrin të shprehë mendimet, Carolina tregon për eksperiencën e saj muzikore. “Unë jetoj për muzikën”, shprehet duke qeshur vajza 19-vjeçare që ka udhëtuar drejt Tiranës për të konkurruar në “Top Fest”. “E kam ndjekur edhe më parë këtë festival dhe më në fund vendosa të bëhem pjesë e tij.
Kisha dëgjuar shpesh për vendin e origjinës ku kam qenë para tre vjetësh thjesht si vizitore. Gjermania më dha një mundësi për të prekur skenën, por kurrë këtë kënaqësi shpirtërore, me të cilën u përballa. E kam mjaft të vështirë të them atë që realisht ndiej, por ‘Top Fest’ ishte alternativa e duhur. T’ju them një sekret? Mbeta tri net pa gjumë nga emocioni se çfarë do gjeja në Shqipëri, por kjo ndjesi kaloi në çastin kur u përballa me një staf muzikantësh të talentuar dhe profesionistë”, tregon ajo. Carolina vjen nga një familje e madhe. I ruan të forta lidhjet si me Shqipërinë ashtu edhe me Bolivinë. E ëma e ka mësuar të flasë shqip, spanjisht flet gjithashtu, ndërsa gjermanishten e ka gjuhën e saj. Prindërit janë të dy muzikantë, i ati kitarist, ndërsa e ëma violiniste. Kulturën muzikore e ka rrëmbyer pikësëpari në ambientin familjar. Më tej, për formimin profesional ka ndjekur disa kurse. Carolina ka marrë leksione të muzikës klasike që prej vitit 2002, ndërsa prej vitit 2004 këngëtarja e re gjysmë shqiptare ka interpretuar disa pjesë në operën shtetërore të Shtutgartit. Ndonëse prej vitit 2005 Carolina ka marrë përsipër t’i shkruajë vetë këngët, në këtë edicion të “Top Fest”-it këndon një këngë, teksti i së cilës është shkruar nga poeti Aleksandër çipa. Bashkëpunimi i Carolinës ka vijuar me një numër të madh muzikantësh, ku peshën kryesore të krijimit dhe orkestracionit e ka “Nice Sound Band”, e cila ka realizuar ‘live’ pjesën më të madhe të instrumenteve, pa harruar produksionin nga kantautori Saimir çili. “Bashkëpunimi ynë me Carolinën ishte rastësi. Pika e parë e kontaktit me të ishte faqja zyrtare në internet. Ndryshe nga këngëtaret shqiptare, Carolina na dha sigurinë e interpretimit ‘live’, duke qenë se një nga kriteret e edicionit të shtatë të ‘Top Fest’ është dhe interpretimi ‘live’. Për këtë arsye vendosëm të bëhemi pjesë e bashkëpunimit me të”, shprehet Brikel Guga, pjesëtar i bandës “Nice Saund Band”. Ndonëse ka lindur dhe është rritur në Gjermani, ajo i ka ndjekur zhvillimet në muzikën shqiptare. “Unë dëgjoj vazhdimisht muzikë shqiptare. Edhe pse nuk kam ndonjë këngëtar të preferuar, e ndjek vazhdimisht, për të qenë në korrent me çdo zhvillim të saj”, pohon Carolina. Edhe pse e re, të kënduarit ‘live’ për të nuk përbën ndonjë sfidë. E ka mirëpritur idenë që në “Top Fest” interpretimet në fazën e dytë do të jenë ‘live’, sepse ajo është e mësuar dhe arrin ta shfaqë më mirë vetën në këtë interpretim. Interpretimi është vlerësuar edhe në konkurrimin e saj në “Ethet” gjermane. Carolina Lopez është shpallur gjysmëfinaliste në spektaklin televiziv "Das Supertalent" (Supertalenti), organizuar në vitin 2008. Në fakt, ajo nuk është e vetmja shqiptare që ka spikatur në organizime të tilla. Kujtojmë se disa vite më parë, pikërisht nga një spektakël i tillë doli Miriam Cami e po ashtu Juna, një tjetër konkurrente e këtij edicioni të “Top Fest”-it. “Ka qenë një konkurrim i vështirë, në të cilin u prezantova në duet së bashku me motrën më të vogël, Amanda. Meqenëse m’u kërkua që të vazhdoja pa të, unë hoqa dorë”, tregon ajo. Carolina Lopez ka interpretuar në veprimtari të ndryshme në Gjermani, duke eksperimentuar po ashtu në rryma të ndryshme si hip hop, r&b, soul, latine, klasike etj. Vitin që shkoi ka bashkëpunuar me Dj Sean Finn, me të cilin ka interpretuar në klube të famshme dhe në festivale të organizuara në qytete të ndryshme të Gjermanisë. Ajo ka interpretuar në duet me këngëtarin e muzikës klasike Ricardo Marinello, e më pas është shfaqur edhe në duete roku me Tetra Pack, si dhe me Sean Finn. Carolina ka të tjera plane për muzikën në Shqipëri. “Pas ‘Top Fest’-it, ku shpresoj të përzgjidhem mes më të mirëve, mendoj se bashkëpunimi i radhës do të jetë sërish me Kelin dhe ‘Nice Saund Band’, por këtë herë do tentojmë në hitin e verës, në ritmet house, këngë që do të shoqërohet me një videoklip. Kontributi, pjesëmarrja dhe projektet e mia me Shqipërinë nuk janë thjesht një këngë”, përfundon Lopez.
#