E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Lehtësohen kushtet e kreditimit për individët, rritet kërkesa për kredi banesash

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit 2026, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në kreditë konsumatore, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë.

Sipas BSH-së, lehtësimi i standardeve erdhi si pasojë e rritjes së konkurrencës në sistemin bankar dhe një tolerance më të lartë ndaj marrjes përsipër të rrezikut. Kjo ecuri ishte në linjë me pritshmëritë e shprehura nga bankat një tremujor më parë.

Gjatë kësaj periudhe u raportua edhe rritje e shkallës së miratimit të kredive për individët. Bankat vlerësuan se historiku i marrëdhënieve me bankën ndikoi pozitivisht në rritjen e miratimeve, ndërsa të dhënat nga Regjistri i Kredive dhe niveli i të ardhurave të disponueshme patën ndikim më kufizues.

Ndërkohë, kërkesa e individëve për kredi shënoi rritje në tremujorin e dytë, si për kreditë për banesa, ashtu edhe për financimin e konsumit. Sipas bankave, faktorët kryesorë që nxitën kërkesën ishin nevojat e shtuara për financim, perceptimi pozitiv për tregun e banesave, besimi i konsumatorëve dhe niveli i normave të interesit.

Një ndikim pozitiv në kërkesën për kredi pati edhe ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.

Për tremujorin e tretë të vitit 2026, bankat presin një lehtësim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit për individët.

Ecuria e vrojtimit të aktivitetit kreditues përputhet me përmirësimin e kreditimit të individëve gjatë tremujorit të dytë. Pas një tremujori të parë në rënie, kredia për individë iu rikthye rritjes gjatë periudhës prill–maj.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re për blerje banesash arriti një rekord historik prej 64,4 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro, duke u rritur me 17,3% krahasuar me vitin 2024.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›