BSH: Rregulla më të forta për administrimin e riskut të likuiditetit
Banka Qendrore me ndryshimet e bëra në rregulloren “Për administrimin e riskut të likuiditetit ka vendosur të detyrojë bankat të raportojnë për hyrjet dhe daljet e parasë çdo javë pranë saj, për të minimizuar sa më shumë krizën e një mungese likuiditeti në treg në kohën kur vendet fqinjë të eurozonës janë në krizë.
Banka e Shqipërisë rrit kontrollin për administrimin e riskut të likuiditetit. E nxitur nga kriza në eurozonë, sidomos në vendet fqinje, duke marrë parasysh që në sistemin tonë bankar 37% e kapitalit të bankave është grek dhe italian, por gjithashtu për një kujdes më të madh të likuiditetit në treg, Banka e Shqipërisë ka vendosur të bëjë disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e riskut të likuiditetit”. Me ndryshimet e bëra në këtë rregullore, e cila është miratuar në vitin 2009, Banka e Shqipërisë detyron bankat të raportojnë në baza javore në BSH parashikimet për flukset hyrëse dhe dalëse të parasë. Raportimi javor, i cili nuk parashikohej në rregulloren e vjetër, është një masë kontrolli më e lartë për likuiditetin në treg për të parandaluar gjithë rreziqet e mundshme që mund të vijnë si efekt i mungesës së parasë në tregun tonë. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë, referuar ndryshimeve të bëra në rregullore, kur konstaton situata të vështira të likuiditetit ose kur ajo e gjykon të arsyeshme, mund të kërkojë informacion më të zgjeruar dhe më të shpeshtë, si dhe mund të vendosë kërkesa dhe norma më kufizuese të përkohshme për administrimin e rrezikut të likuiditetit sesa ato të parashikuara në këtë rregullore, për banka individuale. Në këto raste, bankat sigurojnë nëpërmjet strukturave përkatëse një komunikim sa më efektiv dhe informacion të plotë sipas kërkesës së Bankës së Shqipërisë.” Me këtë risi, ndryshe nga rregullorja e mëparshme, në raste të vështira likuiditeti Banka e Shqipërisë parashikon kërkim informacioni më të shpeshtë dhe norma kufizuese për banka individuale. Ndërsa me rregulloren e vjetër, banka përllogariste dhe siguronte respektimin e treguesit të aktiveve likuide ndaj pasiveve afatshkurtra në baza javore, në nivelin minimal 20 (njëzet) për qind, aktualisht, me ndryshimet e bëra në rregulloren në fjalë, ajo përllogarit dhe siguron në çdo kohë respektimin e treguesit të aktiveve likuide ndaj pasiveve afatshkurtra: në monedhën kombëtare (lekë) dhe në monedhë të huaj në nivelin minimal 20%; dhe në total në nivelin minimal 25%.” Ndryshe nga rregullorja e mëparshme, kur në përllogaritjen e aktiveve likuide përfshiheshin përveç të tjerash llogaritë me Bankën e Shqipërisë, duke përfshirë rezervën e detyrueshme deri në gjysmën e masës së përdorimit të saj; me ndryshimet e bëra në rregullore rezerva e detyrueshme përllogaritet deri në masën e lejuar të përdorimit të saj, të përcaktuar me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë;”. Në të njëjtën kohë, ndërsa me rregulloren e mëparshme Bankat paraqisnin në fund të çdo muaji në Bankën e Shqipërisë formularët, duke respektuar kufirin e treguesit dhe raportonin menjëherë në Bankën e Shqipërisë në rast të mosrespektimit të tij. Gjithashtu, po sipas rregullores së vjetër, Banka e Shqipërisë, kur konstatonte situata të vështira të likuiditetit ose kur ajo e gjykonte të arsyeshme, mund të kërkonte informacion më të zgjeruar dhe më të shpeshtë, si dhe mund të vendoste kërkesa dhe norma më kufizuese për administrimin e rrezikut të likuiditetit sesa ato të parashikuara në këtë rregullore. Në këto raste, bankat siguronin nëpërmjet strukturave përkatëse një komunikim sa më efektiv dhe informacion të plotë sipas kërkesës së Bankës së Shqipërisë. Me ndryshimet e bëra në rregullore, Bankat paraqesin në fund të çdo muaji në Bankën e Shqipërisë, formularët dhe ato respektojnë kufirin e treguesit e raportojnë menjëherë në Bankën e Shqipërisë në rast të mosrespektimit të tij.