Buxheti, korrigjohen shifrat e shtatorit

Bode dhe Bell
Financat ndryshojnë edhe të ardhurat me 260 milionë lekë, shpenzimet kapitale rriten me 1.1 miliardë lekë. Deficiti 890 milionë lekë më i lartë nga sa u deklarua në 9-mujor
Një muaj më parë, këta tregues të 9-mujorit pasqyronin për shtatorin një deficit 30.7 miliardë lekë, ndërkohë që pas një muaji shifra është korrigjuar me tendencë rritjen e saj. Në treguesit e 10-mujorit, muaji shtator rezulton të ketë pasur një deficit 31.6 miliardë lekë, pra 890 milionë lekë më shumë se një muaj më parë. Por korrigjimet e Financave nuk janë bërë vetëm tek deficiti. Të ardhurat të cilat një muaj më parë rezultonin të ishin 239.2 miliardë lekë, tashmë janë 239.5 miliardë lekë, pra me një rritje të përllogaritur saktësisht 260 milionë lekë. Sakaq, edhe tek zëri i shpenzimeve duket se llogaritë e bëra një muaj më parë nga Ministria nuk kanë qenë aq të sakta. Nëse në shifrat e 9-mujorit shtatori rezultonte me shpenzime në nivelin 269.9 miliardë lekë, në treguesit e 10-mujorit shtatori rezulton me nivelin 271,1 miliardë lekë, pra me një rritje prej 1.1 miliardë të shpenzimeve. Kështu në përgjithësi, rritja te disa zëra të shpenzimeve ka qenë modeste, por në total tërësia shkon në një rritje 1.1 miliardë lekë. Kështu janë korrigjuar treguesit e shpenzimeve korrente, të cilat janë ulur me vetëm 5 milionë lekë, kurse shpenzimet e mirëmbajtës janë ulur me 6 milionë lekë, ndërkaq edhe zëri i interesave që qeveria paguan për borxhin është ulur në një nivel modest me 2 milionë lekë. Të gjitha këto minuse në zërat e ndryshëm të shpenzimeve janë balancuar me rritjen prej 1.1 miliardësh të korrigjuar në zërin e shpenzimeve kapitale, pra investimeve publike. Nëse për nëntëmujorin shpenzimet kapitale u deklaruan 46.1 miliardë lekë, në treguesit e 10-mujorit muaji shtator rezulton të ketë pasur shpenzimet kapitale në nivelin 47.2 miliardë lekë. Të gjitha këto ndryshime të treguesve fiskalë për shtatorin janë bërë në treguesit e 10-mujorit, të publikuar disa ditë më parë nga Ministria e Financave.
Nertila Maho