Vizita treditore, Berisha takim me Presidentin dhe kryeministrin e Izraelit
TIRANË Kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një vizitë zyrtare treditore në Izrael, me ftesë të kryeministrit Benjamin Netanyahu. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, kjo vizitë pritet të kontribuojë në çuarjen përpara të marrëdhënieve bilaterale si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Kryeministri do të ketë bisedime me autoritetet më të larta në Jerusalem, si dhe takime me komunitetin e biznesit izraelit në Tel Aviv. Delegacionin e kryeministrit Berisha e shoqëron edhe një grup përfaqësuesish të biznesit shqiptar dhe medias. Në ditën e parë të vizitës së tij, kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Izraelit, Shimon Peres. Po kështu ai do të takohet me kryeministrin Netanyahu, takim i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp. Takime të veçanta kryeministri Berisha do të ketë edhe me kryetarin e Knesset (Parlamentit), Reuven Rivlin, zëvendëskryeministrin Dan Meridor, ministrin e Jashtëm, Avigdor Lieberman dhe ministrin e Infrastrukturës, Uzi Landau. Kryeministri shqiptar do të zhvillojë një vizitë edhe në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, ku do të mbajë një fjalë me temë “Të drejtët mes kombeve - Historia e miqësisë së Shqipërisë me hebrenjtë dhe shtetin hebre”. Në ditën e tretë të vizitës, kryeministri Berisha do të zhvendoset në Tel Aviv, ku do të përshëndesë punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Izrael, i cili i jep një mundësi shumë të mirë për t’i prezantuar biznesit izraelit zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe potencialet e saj të mëdha për investime, si dhe për të nxitur bashkëpunimin midis sipërmarrjes izraelite dhe asaj shqiptare. Kryeministri do të takohet gjithashtu me përfaqësues të kompanive izraelite.