E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Shqiptarët ulin konsumin rrisin kursimet

SHKRUAN: Blerina Hoxha 25-04-2011 13:13

Tendenca e shqiptarëve për të rritur kursimet dhe për të ulur konsumin është thelluar edhe gjatë këtij viti, çka, sipas Bankës së Shqipërisë, tregon se individët besojnë se mirëqenia e tyre po përkeqësohet. Sipas një vlerësimi të Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i rritjes së burimeve të të ardhurave shoqëruar me rritjen e normës së papunësisë dhe uljen e kreditimit për individët nga sektori bankar, është reflektuar në rritjen e prirjes për të kursyer, duke ulur prirjen për të konsumuar. Kostoja e jetesës vlerësohet të jetë rritur në tremujorin e parë të vitit 2011 krahasuar me një vit më parë. Ndërsa çmimet pritet të rriten në tremujorin e ardhshëm, por të ulen disi pas një viti. Për të analizuar ecurinë e mirëqenies të ekonomive familjare, Banka e Shqipërisë vlerëson treguesit e punësimit dhe të të ardhurave.

Punësimi

Niveli i normës së papunësisë në fund të tremujorit të katërt të vitit 2010 rezultoi 13.49%. Numri i të punësuarve ka shënuar rritje me rreth 17 641 persona krahasuar me një vit më parë. Kjo është reflektuar në rritjen e forcës së aftë për punë edhe për shkak të zvogëlimit të vogël me vetëm 300 persona të numrit të të papunëve të regjistruar. Për sa i përket pritshmërive për punësimin gjatë tremujorit të parë të 2011-it, sipas Bankës së Shqipërisë, ato janë pozitive për të gjithë sektorët si: industri, ndërtim dhe shërbime. Zvogëlimi i normës së papunësisë për dy tremujorë radhazi, pas një rritjeje të vazhdueshme të saj që pas tremujorit të tretë të vitit 2008, si dhe pritshmëritë pozitive për rritjen e punësimit në vazhdim, sugjerojnë se tregu i punës po rigjallërohet pas nivelit më të lartë të papunësisë të regjistruar në tremujorin e parë 2010 për shkak të efektit të krizës financiare

Të ardhurat

Një tjetër tregues që tregon mirëqenien e ekonomive familjare janë edhe të ardhurat. Gjatë 2010 paga mesatare mujore u rrit me një normë vjetore nominale prej 5.25%, mirëpo rimet e rritjes ishin më të ulëta se një vit më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në terma realë, norma e rritjes ishte 1.75%, rreth 7.5 pikë përqindje më e ulët se një vit më parë. Pavarësisht rënies së aktivitetit ekonomik, sektori i ndërtimit ka vijuar të rrisë pagën mesatare mujore me rreth 14.5% në terma nominalë vjetorë, ndërkohë që paga mesatare mujore në sektorin e industrisë është rritur me 8.5% dhe është zvogëluar me 2% në sektorin e shërbimeve. Ritmi i rritjes nominale vjetore të pagës mujore në sektorin shtetëror është ngadalësuar në 6.4% krahasuar me 16.4% të një viti më parë. Për sa i përket të ardhurave nga dërgesat e emigrantëve, ato kanë pësuar rënie më 2010-ën. Parashikimet për përkeqësimin e normës së papunësisë në Greqi gjatë vitit 2011 dhe qëndrimi në vlera të përafërta për Italinë sugjerojnë se rigjallërimi i dërgesave të emigrantëve nuk do të jetë i shpejtë dhe i ndjeshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›