Bashkitë dhe komunat, nisin huamarrje pa garancinë e qeverisë
Gjatë vitit 2010 disa bashki e komuna filluan të marrin hua në tregun e brendshëm për financimin e projekteve të ndryshme në infrastrukturë. Sipas Ministrisë së Financave, vlerat e huave që mori pushti lokal kanë qenë simbolike, por rëndësia qëndron në faktin se vendorët shfrytëzuan hapësirat që krijoi ligji i për decentralizimin, për të marrë borxh në mënyrë të pavarur. Në fund të vitit 2010 stoku i borxhit publik arriti në 715.5 miliardë lekë ose 58.52% e PBB. Ky stok përbëhet nga borxhi i Qeverise Qendrore 58.51% të PBB dhe borxhi i pushtetit lokal me 0.01% të PBB. Ndërkaq huamarrja e qeverisë qendrore ka vazhduar në përputhje me nevojat e buxhetit. Në krahasim me vitin 2009, stoku i borxhit publik paraqitet me rënie prej 1.15% në raport me PBB. Evoluimi i strukturës së stokut të borxhit përbëhet nga borxhi i brendshëm, që në fund të vitit 2010 zë rreth 57% të stokut dhe borxhi i jashtëm me 43% të stokut. Kështu edhe gjatë vitit 2010 ndryshimi i strukturës borxh i brendshëm dhe borxh i jashtëm ka vazhduar në favor të këtij të fundit. Në fund të vitit 2009, ky raport ishte 60.8% borxh i brendshëm dhe 39.2% borxh i jashtëm. Rreth 98% e stokut të borxhit të brendshëm përbëhet nga borxhi shtetëror dhe 1.4% nga borxhi i garantuar. Edhe gjatë 2010-s Ministria e Financave ka vazhduar politiken e saj të emetimit kryesisht të instrumenteve afatgjatë të borxhit. Për rrjedhojë, struktura e borxhit të brendshëm shtetëror sipas instrumenteve ka ardhur duke u përmirësuar në favor të instrumenteve afatgjatë, të cilët përfaqësojnë 42.4% të tij. Struktura e mbajtësve të borxhit të brendshëm shtetëror gjithashtu ka pësuar ndryshime pozitive. Më e theksuar ka qenë gjatë këtij viti rritja e peshës specifike të individëve, të cilët përfaqësojnë 12% të mbajtësve të borxhit të brendshëm shtetëror.