Këshilla e BSH, kursimet jo të vlefshme kur rriten çmimet
Nëse ke vendosur të kursesh para në arkën tënde të kursimit apo në bankë, është shumë e rëndësishme që çmimet e produkteve të mos rriten shumë, këshillon Banka e Shqipërisë. Nëse ndodh kjo, sado që të kursesh, nuk do të mund të grumbullosh kurrë paratë e nevojshme për të blerë ato që të nevojiten. Për këtë është e nevojshme që vlera e parasë të jetë sa më e qëndrueshme, që do të thotë që çmimet e produkteve dhe shërbimeve të mos rriten e rriten pa pushim. Kur kjo ndodh, ne themi se ka inflacion. Një material edukativ i Bankës Qendrore sqaron se, kur në një vend ka inflacion të lartë, familjet varfërohen, pasi rritja e vazhdueshme e çmimeve nuk i lejon që me paratë e tyre të blejnë mallrat për të cilat kanë nevojë. Dhe përgjithësisht, është detyra e bankave qendrore të luftojnë kundër inflacionit. Ato përpiqen të mos lejojnë rritjen e përgjithshme të çmimeve, në mënyrë që paratë e qytetarëve të mos e humbasin vlerën e tyre. Kur qytetarët kanë besim në vlerën e monedhës së tyre, pra kur nuk kanë frikë se paraja do ta humbasë vlerën, ata vendosin më mirë se çfarë do të bëjnë me paratë e tyre në të ardhmen.