BSH: Të gjithë treguesit ekonomikë të përkeqësuar për shkak të krizës botëroreNga Fitim ZekthiKriza ekonomike botërore me ndikimin e saj në Shqipëri duket se i ka përkeqësuar më shumë se sa ishte parashikuar treguesit ekonomikë të vendit. Banka Qendr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
BSH: Të gjithë treguesit ekonomikë të përkeqësuar për shkak të krizës botëroreNga Fitim ZekthiKriza ekonomike botërore me ndikimin e saj në Shqipëri duket se i ka përkeqësuar më shumë se sa ishte parashikuar treguesit ekonomikë të vendit. Banka Qendrore në vend, bazuar në një analizë të sajën, tha se ekonomia është ngadalësuar ndjeshëm gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti: deficiti korent është rritur me 25% krahasuar me vjet, biznesi ka reduktuar kapacitetet e tij të punës, kërkesa e brendshme ka rënë etj.
Saktësisht, Banka e Shqipërisë tha se ulja e ritmeve të kredisë, ngadalësimi i zgjerimit monetar, zhvillimet në bilancin e pagesave gjatë muajve të parë të vitit 2009, ecuria e disa treguesve fiskalë dhe opinionet e biznesit e konsumatorëve, dëshmojnë se kërkesa e brendshme ka ardhur në rënie. Nga ana tjetër, bën me dije Banka Qendrore në analizën e saj, presionet e jashtme inflacioniste kanë ardhur në rritje: ulja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore është kompensuar nga nënçmimi i lekut gjatë kësaj periudhe, duke rezultuar në rritjen e çmimeve në vend të disa mallrave të importit dhe duke sjellë një rritje të lehtë të inflacionit në muajin maj kundrejt nivelit të shënuar në muajin e shkuar. Banka e Shqipërisë shihte me shqetësim në analizën e saj administrimin e parasë publike nga qeveria, teksa thoshte se treguesit fiskalë janë karakterizuar nga rritja e të ardhurave dhe e shpenzimeve buxhetore gjatë muajve të parë të vitit, por të dy këta tregues kanë qenë poshtë nivelit të planifikuar për këtë periudhë. Rritja e shpenzimeve është diktuar në një masë të madhe, thoshte Banka Qendrore, nga rritja e shpenzimeve kapitale (investimeve), ndërkohë që ecuria e të ardhurave ka reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik gjatë muajve të parë të vitit. Bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve ka rezultuar në një rritje të deficitit buxhetor përtej shifrave të planifikuara. Analiza e Bankës së Shqipërisë megjithatë e mendonte ekonominë deri më tani elastike, e cila kishte arritur të mos binte në recesion, por kjo nuk e ka ruajtur atë nga disa elementë, si rënia e shitjeve të biznesit, humbja e një numri të konsiderueshëm të vendeve të punës dhe rënia e fuqisë së biznesit për të paguar taksa. Banka në analizën e saj bënte me dije se secili prej treguesve të përkeqësuar të ekonomisë kishte lidhje me krizën ekonomike, por edhe që të gjithë treguesit janë të lidhur me njëri-tjetrin. Kjo bën që kriza të përkthehet përpos të tjerash në më shumë rëndesë te familjet e varfra dhe në rritjen e presionit ndaj familjeve që janë në kufirin e varfërisë. Rënia në tërësi e aktivitetit ekonomik padyshim që e ka këtë efekt. Masat që janë marrë nga qeveria duke rritur shpenzimet publike nuk kanë dhënë ndikim të qartë ose të paktën ai nuk mund të llogaritet se deri në ç’pikë ai ka ndihmuar të zbuten efektet e krizës.