Mesazh i fortë i Withers: Mos u trembni nga presionet për votën, denonconi çdo rastNga TemaNisur nga shqetësimet e fundit të opozitës, se vota e shqiptarëve mund të deformohet, ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, lëshoi dje një mesazh të for
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Mesazh i fortë i Withers: Mos u trembni nga presionet për votën, denonconi çdo rastNga TemaNisur nga shqetësimet e fundit të opozitës, se vota e shqiptarëve mund të deformohet, ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, lëshoi dje një mesazh të fortë në drejtim të të gjithë atyre që synojnë të manipulojnë qëndrimin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Withers tha gjatë prezantimit të nismës për numërimin paralel të votave, që askush nuk duhet të ketë frikë që të shprehet lirshëm në këto zgjedhje, sepse Amerika po vëzhgon gjithçka.
Withers ka përmendur të gjitha rastet e përmendura si mundësi manipulimi e tha që qytetarët duhet t’i raportojnë ato pa frikë te vëzhguesit. Ambasadori amerikan shprehu shqetësim për presionet ndaj administratës e për udhëzimet për fotografimin e votës.
“Unë i kërkoj të gjithë votuesve që të ushtrojnë të drejtën më të çmuar civile, të drejtën për të votuar dhe iu them atyre: Mos kini frikë të votoni!
E thënë sinqerisht, të gjithë e dimë që zgjedhjet në të kaluarën në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare. Si anëtare e re e NATO-s, Shqipëria në këto zgjedhje duhet t’i plotësojë këto standarde. Praktikat manipuluese të së shkuarës nuk duhet të përsëriten më. Pra, nëse dikush kërkon që të blejë votën tuaj, nëse dikush ju bën presion që të votoni në një mënyrë të caktuar, nëse dikush përpiqet t’ju frikësojë duke ju kërcënuar me vendin e punës apo mirëqenien e familjes tuaj, nëse dikush ju kërkon që ju të fotografoni fletën e votimit që ai ta dijë se si ju votuat, nëse dikush përpiqet që të ndryshojë një pasaportë apo të shpërndajë karta të falsifikuara që të votojë shumë herë, nëse policia apo zyrtar tjetër shfaq anshmëri në çfarëdolloj mënyrë, nëse dikush përpiqet që të vërë dorë mbi kutitë e votimit apo të prekë procesin e numërimit, ju lutem dijeni që të gjitha këto veprime janë të paligjshme dhe raportojini ato te vëzhguesit.
Ju kërkojmë që të dini gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA, do të jetë duke ju vëzhguar. Këto praktika që përshkrova më sipër janë praktika të së shkuarës. Ato nuk kanë vend në botën e sotme apo në Shqipërinë e sotme. Prandaj iu them qytetarëve shqiptarë: Vota është e drejta e shenjtë e demokracisë, është privilegji i lirisë. Mos ia lejoni kurrkujt që të marrë këtë të drejtë nga ju. Ndërsa futeni në qendrat e votimit më 28 qershor, mos harroni: Amerika është në krahun tuaj! Amerika ju mbështet! Votoni në paqe, në liri dhe pa frikë!” - tha Withers.
Shpjegimi pse po bëhet një numërim paralel i votave nën mbështetjen e USAID
Ambasadori amerikan shpjegoi dje se pse po mbështetet ky projekt për numërimin paralel. Withers tha se duhen forcuar vëzhguesit vendorë, pasi ata do të marrin në dorë fatin e zgjedhjeve në këtë vend e deklaroi se numërimi paralel nuk merr kompetencat e KQZ e as nuk është një numërim që shpreh qëndrimin e qeverisë amerikane.
“Së pari, numërimi paralel do të raportojë rezultatet së bashku me numërimin zyrtar që do të bëhet në çdo qendër numërimi dhe do t’i transmetojë ato të dhëna publikisht në kohë reale, ndërsa rezultatet mbërrijnë përgjatë gjithë procesit të numërimit të votave. Por numërimi paralel nuk është numërim zyrtar i votave dhe as nuk ka për qëllim që të zëvendësojë numërimin zyrtar të votave. Vetëm KQZ ka autoritetin ligjor për të shpallur fituesin e zgjedhjeve. Numërimi paralel ka për qëllim që të mbajë numërimin e votave nën vëzhgim të afërt, si dhe të kontrollojë saktësinë e tij, me qëllim që të përforcojë besimin e publikut në rezultatet e zgjedhjeve.
Së dyti, numërimi paralel mbështetet financiarisht nga USAID, por numërimi paralel nuk është një numërim amerikan. Ai është një llogaritje e pavarur dhe jozyrtare e votave të hedhura nga qytetarët shqiptarë. Rezultatet nuk duhet të interpretohen si rezultate amerikane që paraqesin pikëpamjen amerikane, pasi një gjë e tillë nuk ekziston.
Së treti, numërimi paralel është një nismë e shoqërisë civile, të cilën ShBA e mbështesin plotësisht. E mbështesim, sepse qytetarët shqiptarët duhet të jenë arbritrat e zgjedhjeve në vendin e tyre. Kur vëzhguesit ndërkombëtarë të kenë bërë gati valixhet dhe të jenë larguar, janë qytetarët shqiptarë ata që mbesin këtu për të shërbyer si roje të integritetit zgjedhor”, - tha Withers.
Bosch: Nuk ka më justifikime e shfajësime, këto zgjedhje duhet të jenë brenda standardeve
Edhe ambasadori i OSBE në vendin tonë, Robert Bosch, tha se ka shqetësime në lidhje me votën e lirë dhe bëri thirrje që të mos bëhen presione ndaj votuesve.
“Për sa i përket partive politike, ato duhet të jenë të ndërgjegjshme për faktin se ato kanë një rol kyç për të luajtur për të garantuar që e diela të jetë një sukses i jashtëzakonshëm dhe që shqiptarët të mund të marrin pjesë më në fund në zgjedhje që ata i meritojnë, zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare.
E pra, le të mos ketë më probleme, të mos ketë më justifikime, e as shfajësime për dështimet e së kaluarës. Kësaj radhe, këto zgjedhje do të duhet të funksionojnë.
Kjo do të thotë që dialogu publik të mbetet i qetë dhe i arsyeshëm.
Mbi të gjitha, kjo do të thotë që gjithë votuesit të lejohen të shkojnë në kutinë e votimit të lirë, në mënyrë që ata të votojnë në mënyrë të fshehtë dhe të pavarur për këdo që dëshirojnë.
Cilido qoftë, burrë apo grua, fshatar apo qytetar, plak apo i ri, punonjës i sektorit privat apo atij shtetëror, çdo votues duhet të lejohet të ushtrojë të drejtën e tij apo të saj kushtetuese në përputhje me ndërgjegjen e vet, në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë presion të jashtëm. E pra, le të jenë zgjedhjet e 2009-ës zgjedhjet që do të hapin një kapitull të ri në zhvillimin demokratik të këtij vendi”, - tha Bosch.
Sërish ai ngriti shqetësimin e votimit familjar, por dhe të fotografimit të votës.
“Le të mos kemi më histori votimesh familjare apo episode, ku votuesit ‘instruktohen’ që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, do të inkurajoja gjithë qytetarët që ta shijojnë të dielën, sepse ditët e zgjedhjeve - si në shumicën e demokracive - shihen si ‘festivale të demokracisë’, që do të thotë: Hidheni votën tuaj!
Le të mos harrojmë se zgjedhjet bëhen për popullin dhe se ato nuk janë pronë personale e partive politike. Çdo votë vlen, çdo votë do të numërohet dhe procesi i administrimit të zgjedhjeve do të jetë plotësisht i lirë, i hapur dhe transparent”, - tha Bosch.