Zgjedhje pa zgjedhjeNga "Der Standard"Tre milionë shqiptarë janë thirrur për të dhënë qëndrimin e tyre në zgjedhjet parlamentare. Në garë janë koalicioni i qendrës së djathtë “Aleanca për Ndryshim” nën drejtimin e kryeministrit aktual të Partisë Demo
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Zgjedhje pa zgjedhjeNga "Der Standard"Tre milionë shqiptarë janë thirrur për të dhënë qëndrimin e tyre në zgjedhjet parlamentare. Në garë janë koalicioni i qendrës së djathtë “Aleanca për Ndryshim” nën drejtimin e kryeministrit aktual të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe koalicioni i Partisë Socialiste “Bashkimi për Ndryshim”, nën drejtimin e Edi Ramës.
Gara është shumë e ngushtë. Sipas një ankete aktuale të Zogby International, demokratët në qeverisje kanë 40%, socialistë arrijnë 38%. Të dyja së bashku në koalicione arrijnë nga 42% të votave.
Zgjedhjet nën vëzhgim
Për komunitetin ndërkombëtar nuk ka shumë rëndësi rezultati i zgjedhjeve sesa mënyra si do mbahen ato. Me një proces zgjedhor pa probleme Shqipëria mund të japë një dëshmi të fortë për rrugën drejt Evropës.
Për të bërë një vlerësim të tillë, 400 vëzhgues të huaj do të dërgohen në vend.
E këta kanë se çfarë të thonë: Listat e zgjedhësve janë me gabime e të paplota.
Ata me të drejtë vote, por pa pasaportë, duhet të identifikohen me një kartë identiteti në qendrën e votimit. Problemi: Jo secili që ka nevojë për një kartë identiteti e ka marrë atë - bën të ditur opozita. Qeveria hedh poshtë një gjë të tillë.
Anëtarësimi në BE si synim
Për sa i përket përmbajtjes, zgjedhjet nuk kanë shumë tension. Ndryshimet ideologjike mes partive janë shumë të pakta. Në lidhje me linjën e politikës së jashtme, të gjitha partitë bashkohen në një pikë: Synimi është afrimi me Evropën Perëndimore.
I pari sukses në këtë fushë ishte anëtarësimi në NATO më 1 prill të këtij viti. Në fund të prillit Tirana ka paraqitur dhe një kërkesë për anëtarësimin në BE.
Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bild, tha gjatë prezantimit të pikave kyçe të presidencës suedeze të BE se do të presin për zgjedhjet. Statusin e vendit kandidat Shqipëria nuk do ketë mundësi ta marrë të paktën jo deri në vitin 2010.
Kush është populisti më i mirë?
Beteja zgjedhore dominohet nga deklaratat populiste. Kush garanton pensione më të larta? Kush premton zgjidhje më të mirë për energjinë e munguar? Kush është luftëtari më i mirë kundër korrupsionit?
Beteja zgjedhore kulmon me përplasjet mes kandidatëve kryesore të dy partive të mëdha.
Kriza ekonomike ndërkombëtare nuk e ka prekur akoma plotësisht Shqipërinë. Por, papunësia, sipas të dhënave të CIA-World-Factbook, zyrtarisht është 12.5%. Rritja ekonomike prej 6% vitin e kaluar, këtë vit do të zhytet në parashikimet e 0.4%. Të ardhurat mesatare vjetore janë rreth 2.500 euro, një e dhjeta e mesatares evropiane.
“Kasta oligarkësh si në rastin e Kamorras”
Komentatori i pavarur, Fatos Lubonja, e sheh Shqipërinë si të rënë në duart e një “kaste oligarkësh si Kamorra”, të cilët përmes privatizimeve bëhen të pasur e që kontrollojnë, jo vetëm ekonominë, por dhe mediet.
Berisha dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Rama, u kanë dhënë oligarkëve të tyre pará dhe pasuri publike.
Pasi ndërtimi i banesave nuk është më kaq fitimprurës, shefi i qeverisë ka nisur ndërtimin e veprave të të gjitha llojeve për ta kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të energjisë - dhe njëkohësisht për t’i ofruar rrethit të njerëzve të tij të tjera sfera veprimi.
Beteja zgjedhore është errësuar nga tri vrasje: Një përplasje në lidhje me posterat zgjedhorë solli vdekjen e një aktivisti të demokratëve në pushtet. Autori është në burg. Rrethanat e vdekjes së një deputeti socialist dhe një shefi rajonal të demokristianëve janë akoma të paqarta.
* Marrë me shkurtime