E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare fiton “Princi i Asturias”, lë pas KunderënNga Dhurata HamzaiMes 31 autorëve të nominuar nga 25 vende të botës, ndër të cilët dhe shkrimtari çek Milan Kundera, dje paradite shkrimtari Ismail Kadare fituar Çmimin e madh spanjoll “Princi i Asturi

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kadare fiton “Princi i Asturias”, lë pas KunderënNga Dhurata Hamzai

Mes 31 autorëve të nominuar nga 25 vende të botës, ndër të cilët dhe shkrimtari çek Milan Kundera, dje paradite shkrimtari Ismail Kadare fituar Çmimin e madh spanjoll “Princi i Asturias për Letërsinë” (Prince of Asturias Aëard for Letters). Kadare është i pari shkrimtar shqiptar që fiton çmimin “Princi i Asturias për Letërsinë”, një nga më prestigjozët në botë, i krijuar në vitin 1981. Në radhën e kandidatëve që synonin vlerësimin me këtë çmim ishin shkrimtarë nga Argjentina, Belgjika, Kanadaja, Kuba, Republika Çeke, Franca, Holanda, Hungaria, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja, etj. Juria vlerësoi si më të mirën veprën e Kadaresë, mes shkrimtarëve të famshëm si Milan Kundera, italianit Antonio Cabuçhi, holandazit Cees Nooteboom, autorë këta të njohur të brezit të Kadaresë. Edhe gazeta e njohur spanjolle “El Mundo” njoftonte se: “kandidati shqiptar për çmimin “Nobel” e fitoi garën mes shkrimtarëve të përmasave të tilla si Milan Kundera, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës që jetojmë, italianit Antonio Cabuçhi, holandazit Cees Nooteboom, autorë këta të njohur të brezit të Kadaresë”. Njëkohësisht kjo gazetë pohon se Ismail Kadare romancier, eseist dhe poet, përfaqëson kulmin e letësisë shqiptare, dhe Kadarenë e konsideron si një autor që, pa i harruar rënjët e tij, ka rendur për të ngritur zërin kundër totalitarizmit në vendin e tij dhe në botë. “Tashmë ai gëzon prestigjin e një shkrimtari dhe intelektuali të madh europian të shekullit të 20-të, i përkthyer në shumë gjuhë të botës”, shkruan kjo gazetë. Kandidatëve nga 25 vende të botës që konkurruan për këtë çmim të fondacionit “Prince of Asturias” u përcaktohej kriteri që çmimi t’u akordohej atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë. Gazeta “El Mundo”-s thekson se Kadare është një shkrimtar, i cili filloi të fitojë famën e tij me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1963, roman me të cilin Kadare arriti njohje brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë dhe që sot materializohet me një nga çmimet më të rëndësishme në qarqet letrare të botës”. “Kadare është një studiues i madh i traditës shqiptare dhe i këtij vendi Ballkanik”, shkruan “El Mundo”, duke cituar se veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës. Menjëherë pas marrjes së çmimit në Spanjë, shkrimtari Ismail Kadare s’e ka fshehur krenarinë për fitoren, ndërsa ka pohuar, dje, se ky është një çmim elitar, të cilin deri tani e kanë marrë shumë shkrimtarë të mëdhenjë, “ndaj jo vetëm unë, por çdo shkrimtar e ka shumë për nder nëse e merr këtë çmim”, tha Kadare. Fituesi i çmimit Kadare ka theksuar se në këtë edicion ka pasur shkrimtarë shumë të mëdhenj, ku mes atyre kanë qenë edhe miq të tij. Ndaj ky çmim është edhe më i çmuar për mua, është shprehur dje shkrimtari. Ndër të tjera, shkrimtari Ismail Kadare, fitoren e këtij çmimi ua dedikon edhe përkthyesve të tij, të cilët i kanë përcjellë veprat e tij me përpikmëri në gjuhë të ndryshme të botës. Kështu, dje Kadare ka lëvduar edhe punën e mirë të përkthyesit të veprës nga shqipja në spanjisht, Ramon Sanchez Lizarralde-s, i cili e njeh mirë gjuhën shqipe, pasi ka studiuar dhe jetuar vite më parë në Shqipëri.

Kadare ngjitet në majat e letërsisë europiane

Tashmë me dy çmime tepër prestigjioze, Ismail Kadare ngjitet në majat e letërsisë europiane. Njëkohësisht edhe fitues i çmimit “Man Booker International Prize” në vitin 2005, të cilit iu bashkua edhe “Princi i Asturias për Letërsinë”. Ismail Kadare është bërë shkak që letërsia shqipe të bëhet më e njohura në botë. Të dyja trofetë ndërkombëtare; “Man Booker International Prize” dhe “Prince of Asturias Award for Letters” janë më të njohurat në botë, pas Nobelit. Këto koncesione kanë tashmë një ikonë nga letërsia shqiptare. Këtë triumf të shkrimtarit Ismail Kadare e kanë konsideruar si triumf të letësisë shqipe në botë diplomatë të huaj dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare. Kryeministri Sali Berisha në urimin e tij të përzemërt, në emër të qeverisë shqiptare dhe emrin e tij personal, vlerësoi akordimin e këtij çmimi të madh botëror si një ngjarje shumë të rëndësishme. Ai e konsideroi këtë çmim si një nderim të madh për krijimtarinë gjeniale të Ismail Kadaresë, por dhe për mbarë kombin tonë, letrat dhe kulturën e tij. Ndërkohë Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, i ka shprehur përgëzimet e tij shkrimtarit Ismail Kadare për “Princi i Asturias për Letërsinë”, ndërkohë që i ka dërguar zyërs së shtypit të Fondacionit Princi i Asturias përgëzimet më mira për vlerësimin që kanë bërë, duke e konsideruar si një concension nga më të rëndësishmit në letërsinë botërore. Konkretisht thuhet se “vepra e Ismail Kadaresë e meriton këtë çmim, sepse ajo po jep një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për njohjen e letërsisë shqipe, por edhe për njohjen dhe integrimin e Shqipërisë dhe në botë”. Por, duhet theksuar se Ismail Kadare, pavarësisht këtij çmimi, sot nuk është i vemti shkrimtar shqiptar që njihet në botë, sepse dihet që deri më sot janë të paktën mbi 20 shkrimtarë shkrimtarë shqiptarë, vepra e të cilëve është përkthyer në shumë vende të Europës. Këtë fakt e pohon edhe vetë shkrimtari Ismail Kadare pas marrjes së cmimit “Princi i Asturias për Letërsinë”, gjë të cilën e konsideron si një fat të mirë për njohjen e mëtejshme të letërsisë shqiptare, jo vetëm në Europë, por edhe në mbarë botën. Ismail Kadare tashmë në moshën 73 vjeçare, bëhet një nga emrat më të njohur në oborrin e letësisë europiane. Prej vitesh ai bën pjesë në Akademinë Franceze, ndër 12 anëtarë-shok të huaj të kësaj Akademie, apo edhe i Akademisë së Berlinit. Në vitet e tranzicionit në Shqipëri. Ismail Kadare është bërë edhe një nga protagonistët e jetës politike dhe të mendimit, ndërsa karriera e tij gjatë kësaj kohe është shoqëruar me replika dhe kundëreplika të forta, diktuar nga polemikat e tranzicionit, ndërsa jeta e tij që prej vitit 1990, është mes kryeqytetit francez Parisit dhe Tiranës.

Kjo ishte e 16-a herë që jepet çmimi “Princi i Asturias për Letërsinë”, në edicionin 29-të të këtij aktiviteti. Vitin e kaluar, fituesja e Çmimit Princi i Asturias për Letërsinë ishte kanadezja, Margaret Atwod, të cilën juria e nderoi për veprën e saj të shkëlqyer, sidomos në mbrojtjen e dinjitetit të grave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›