E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH nis pastrimin e basenit të liqenit dhe remontin e agregateve

KESH ka nisur masat e për të pastruar basenet e liqeneve të HEC-eve dhe remontet në agregatet e tyre. Këto masa merren për të garantuar sigurinë e digave dhe HEC-eve për periudhën e dimrit, kohë kur prurjet janë të shumta dhe mund të arrijnë mbi nivelin maksimal të kapacitet mbajtës së liqeneve të këtyre HEC-eve. Burimet zyrtare pranë KESH-it bënë me dije se dje korporata për herë të parë ka nisur pastrimin e basenit të Komanit në një thellësi ujore afro 27 metra. Pastrimi i këtij baseni po bëhet me polumbarët e KESH-it dhe në ndihmë i kanë ardhur edhe polumbarë të forcave detare. Pastrimi i basenit të liqenit të HEC-it të Komanit do të vazhdojë për afro një muaj pa ndërprerje, pasi mbeturinat janë të shumta. Sipas burimeve nga KESH-i, pastrimi kryhet për të hequr sasi të mëdha mbetjesh drusore që janë depozituar në fund të liqenit në afro 10 metra. Duke qenë se niveli i mbeturinave është shumë i lartë, puna për pastrimin e tyre është shumë e vështirë, pasi zhytja vështirësohet edhe si rezultat i temperaturave të ulëta në thellësi të liqenit. Burimet pranë KESH-it sqarojnë se gjatë ditës zhyten katër polumbarë, të cilët e bëjnë këtë proces me radhë. Madje, një ekip mjekësh ndjek procesin nga afër, për të evituar çdo problem shëndetësor që mund të ndodhë në thellësi të liqenit për polumarët. I gjithë ky proces është ndjekur dje nga vetë kreu i Korporatës Elektroenergjitike, Engjëll Zeqo, i cili bëri të ditur se veç pastrimit të basenit, po kryhet remont edhe tek agregatet. Ndërhyrja bëhet për të rritur eficencën në hidrocentralin e Komanit. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo, theksoi se këto investime do të risin rendimentin. Është gjithë kjo punë që po behët me qëllim që të garantojmë një punë sa më të mirë gjatë dimrit, por edhe për të rritur eficencën e këtyre agregateve, duke qenë se duke bërë të pastrim rritet rënia e nivelit të ujit dhe rritet rendimenti. Por edhe duke bërë një mbrojtje të pjesës së hidrocentralit, - ka theksuar për median dje drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo. Por KESH është angazhuar që të kryejë remonte gjatë gjithë periudhës së verës në të gjitha hidrocentralet, me qëllim që kjo korporatë të futet në fillimin e dimrit me gatishmëri maksimale të agregateve në çdo njësi prodhimi. Gjatë periudhës së verës kuotat në Fierzë, Koman, Vaun e Dejës janë përpunuar me shumë kujdes e vëmendje, duke ndjekur çdo ditë dhe duke e krahasuar me të dhënat shumëvjeçare të grafikut të mëparshëm. Zeqo ka bërë të ditur se KESH garanton administrim dhe shfrytëzimin optimal të kaskadës, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar, kur është e mundur, shkarkimin e çdo m3 ujë si dhe duke minimizuar çdo shkarkim të mundshëm në respekt të plotë të rregullores për menaxhimin e shkarkimit të plotave nga hidrocentralet e kaskadës dhe niveleve të liqeneve të secilit hidrocentral. Dëshiroj të theksoj që jo çdo shkarkim i ujit nga hidrocentralet e kaskadës që KESH administron, shoqërohet me përmbytje, duke pasur parasysh këtu sasinë e shkarkimeve, kohëzgjatjen e tyre si dhe kohën e realizmit të tyre, - tha ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›