BSH dhe FMN, forum mbi “tregun bankar dhe sistemin ligjor”
Tregu bankar dhe sistemi ligjor i tij do të jetë në qendër të diskutimeve gjatë një forumi 4-ditor që do të zhvillohet në Tiranë, në 17-21 nëntor, organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Departamentin Juridik pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Burime nga Banka Qendrore bëjnë me dije se lektorë të përzgjedhur nga FMN-ja që janë ekspertë të njohur të fushës, do të trajtojnë nga pikëpamja ligjore krizën financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndikimi i saj në sistemin financiar botëror, me fokus të veçantë, aspektet juridike të mbikëqyrjes bankare. Gjithashtu, do të trajtohen dhe tema të veçanta mbi mbikëqyrjen administrative, juridike të iniciativave ligjore, produktet komplekse financiare, qeverisja e bankave në Shqipëri etj. Në forum do të marrin pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, juristë të bankave të nivelit të dytë që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri, përfaqësues dhe ekspertë të institucioneve dhe agjencive publike që merren me legjislacionin bankar dhe kuadrin rregullativ, nga bankat tregtare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Drejtoria e Përgjithshme e Luftës kundër Pastrimit të Parave etj. Sipas BSH-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, do të çelë punimet e këtij takimi, i cili do të jetë i hapur për mediat vetëm gjatë fjalës së tij, bënë të ditur burimet zyrtare të BSH-së.