E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm 8 për qind dinë për kontraceptivët

Planifikimi familjar

"Gratë shqiptare nuk kanë informacion të mjaftueshëm mbi planifikimin familjar”, - tha mjekja pediatre, Arta Mëzezi.

Sipas saj, "sondazhi i bërë në 2008-ën tregoi se në 100 gra të intervistuara që dilnin nga materniteti, 95 për qind e tyre dëshironin të kishin informacion për planifikimin familjar, por vetëm 4 për qind kishin marrë informacion". "Në të gjithë Shqipërinë, vetëm 8 për qind e grave kanë arritur të adaptojnë metoda të planifikimit familjar, prandaj po punojmë që të kenë akses në këtë shërbim", - tha mjekja Mëzezi.

Për këtë arsye, projekti Access, i cili mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë dhe financohet nga USAID-i, synon forcimin e shërbimeve të planifikimit familjar. "Ky projekt zbatohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të konsistojë në dhënien e planifikimit familjar për gratë menjëherë pas lindjes dhe abortit", - tha znj. Mëzezi. Sipas saj, "kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne ndeshim shpesh në punën tonë nëna që kanë një fëmijë të vogël në krah, që nuk ka mbushur vitin e parë dhe vijnë shtatzëna, ndaj këtyre duhet t'u jepet mundësia për të zgjedhur metoda që janë moderne dhe të parrezikshme për shëndetin e nënës dhe fëmijës".

"Projekti ka filluar në Tiranë, Korçë dhe Shkodër, ndërsa pretendohet të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe shpresojmë të jetë i suksesshëm", - tha ajo, duke shtuar se "aktualisht kemi një mbështetje nga qeveria amerikane me trajnime për personelin dhe mundësimin e materialeve informuese, posterave etj. në ndihmë të nënave".

"Në shikim të parë, duket se planifikimi familjar nuk ka të bëjë me pediatrinë, por nënat mbas lindjes janë të rrezikuara brenda 30 ditëve të mbeten shtatzënë, prandaj është shumë e rëndësishme që të marrin shërbime të planifikimit familjar dhe gjëja kryesore dhe e rëndësishme është të përfitojnë nga ushqyerja me gji", - theksoi mjekja pediatre Mëzezi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›