E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH, faqe interneti mbi interesat e bankave

Në një bashkëbisedim me median, të premten në Tiranë, specialistë të BSH-së bënë të ditur se, kjo risi i shërben rritjes së transparencës dhe informimit të publikut, si një nga çështjet që në vite ka pasur vëmendjen maksimale të Bankës së Shqipërisë.

Informacioni i publikuar mbi këtë sektor i vjen në ndihmë çdo individi që kërkon të dijë interesin më të mirë që ofron tregu për depozitat 12 mujore. Në këtë mënyrë, nuk do të jetë e nevojshme që individët të kërkojnë në të gjitha adresat e bankave apo të shkojnë deri në degët apo agjencitë e tyre.

Ky informacion do të jetë i publikuar në një faqe të vetme interneti për të 16 bankat dhe, si i tillë, do të jetë lehtësisht i krahasueshëm. Kjo do të ndihmojë për të zgjedhur bankën më të përshtatshme për atë shërbim apo produkt që kemi nevojë.

Ky shërbim ju vjen në ndihmë të gjithë njerëzve, duke u kursyer kohë për të marrë gjithë informacionin e duhur krahasues dhe për të bërë zgjedhjen më të mirë. Shpejtësia e informacionit për sistemin bankar nuk është vetëm një problem për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për vendet ku kultura financiare është shumë e zhvilluar.

Banka e Shqipërisë në vitet e fundit ka forcuar rregullat që bankat duhet të zbatojnë për transparencën dhe informimin ndaj publikut. Ekspertët u shprehën gjithashtu, se impakti i këtij projekti të ri, nga njëra anë do të krijojë lehtësi për konsumatorin (individ ose biznes), dhe nga ana tjetër është pikërisht ky i fundit që me reagimet e tij, pritet të ndikojë në rritjen e nivelit të konkurrencës në treg dhe t’i orientojë bankat drejt uljes së kostove të produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë.

Është e rëndësishme theksuan ata, që klientët bankarë të jenë të informuar mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre kundrejt bankave dhe anasjelltas, informacion i cili është i disponueshëm nëpërmjet platformës informuese dhe rregullative që Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion./Start/

                                                                                             2012-07-27 17:41
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›