E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon Cameron: Integrimi, me merita

Në këtë takim, kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht Kryeministrin britanik Cameron për kohën dhe pritjen e veçantë që i rezervoi në një ditë kaq të ngarkuar dhe i shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë mbështetjen e çmuar që Britania e Madhe i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në përpjekjet e saj për të ndërtuar demokracinë, bazuar në vlerat e tregut dhe integrimin e vendit në NATO dhe, tani, në procesin e integrimit evropian, si dhe për bashkëpunimin e frytshëm që ekziston midis dy vendeve tona në fushën e zbatimit të ligjit.

Berisha e njohu Kryeministrin britanik me reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria, nga viti 2005 e në vazhdim, rezultatet e këtyre reformave në treguesit kryesorë të zhvillimit njerëzor, në disa prej të cilëve Shqipëria ka arritur vendet e zhvilluara.

Kreu i qeverisë së Shqipërisë e njohu Kryeministrin britanik me arritjet e vendit në fushën ekonomike, me rritjen ekonomike katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit, arritjet në thithjen e investimeve të huaja ndër më të lartat për frymë dhe ndërtimin e infrastrukturës së re të vendit, ecurinë e Shqipërisë drejt moshës dixhitale, etj.

Kryeministri i Shqipërisë e njohu gjithashtu Kryeministrin e Britanisë së Madhe me bashkëpunimin parlamentar dhe reformat e ndërmarra me opozitën, për plotësimin e kërkesave të KE për statusin e vendit kandidat. Berisha e siguroi në këtë takim Kryeministrin David Cameron se, për qeverinë e tij dhe për shqiptarët, integrimi i vendit në BE është projekti më kryesor dhe se ai e konsideron atë si një proces jetik dhe të bazuar në meritë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron shprehu kënaqësinë që takohej me Kryeministrin Berisha dhe vlerësoi arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat në tërësi, rritjen ekonomike të vendit dhe rezultatin e reformave në këtë fushe, si dhe e siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për vendin tonë.

Kryeministri Berisha shprehu mirenjohjen ndaj Britanisë së Madhe për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, në 100 vitet e pavarësisë së saj dhe e ftoi Kryeministrin  Cameron që të vizitojë Shqipërinë, në kuadrin e këtij jubileu.  Kryeminisri Cameron e uroi Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe e falënderoi atë për ftesën, të cilën u shpreh se do ta konsiderojë sapo t’i jepet mundësia.
 Në takim u diskutua dhe u vlerësuan zhvillimet në rajon, për të cilat u ndanë mendime të njëjta. /Start/

                                                                                             2012-07-28 09:28
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›