BSH mban të palëvizur normën e interesit për lekun
TIRANE-Ndryshe nga sugjerimet e FMN-së dhe subjekteve të ndryshme vendase, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur dje të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit. Në një komunikatë pas përfundimit të mbledhjes së djeshme të këtij Këshilli, thuhet se u vendos "të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi njëjavor". Këshilli Mbikë-qyrës mori në analizë zhvillimet më të fundit në inflacion, në tregun financiar dhe në aktivitetin ekonomik të vendit. Inflacioni në muajin janar 2009 rezultoi 2.1 për qind, pothuajse në të njëjtin nivel me atë të fundvitit 2008. Tendenca në rënie e inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, reflektuar dhe në tregun vendas, si dhe nga kushtet të qëndrueshme makroekonomike në vend. Ndërkohë, vrojtimet e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, për tremujorin e fundit të vitit 2008 kanë regjistruar një rënie prej 10 pikë përqindje të treguesit të tendencës ekonomike, thuhet në njoftimin e BSH-së.
(d.b/BalkanWeb)