E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, 385 kamera për numërimin e votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë në mbledhjen e sotme, projektin që parashikon instalimin e 385 kamerave, në të 66 Vendet e Numërimit të Votave (VNV) të shpërndara në të gjithë Shqipërinë 

TIRANE-Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, për herë të parë, do të kesh të drejtën që të ndjekësh direkt në kamera procesin e numërimit të votave. Gazeta Shqiptare ben te ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë në mbledhjen e sotme, projektin që parashikon instalimin e 385 kamerave, në të 66 Vendet e Numërimit të Votave (VNV) të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Në bazë të Kodit Zgjedhor, në çdo VNV ngrihen jo më pak se 5 dhe jo më shumë se 10 tavolina numërimi. Nga përllogaritjet e bëra, në të 66 VNV-të do të duhet të ngrihen 385 tavolina numërimi. Pra, do të duhen 385 kamera për të monitoruar procesin e për t’ia përcjellë atë publikut. Kjo nuk do të thotë që të ulesh para ekranit të televizorit në kërkim të kanalit ku transmetohet “live” ky proces. Por, nëse do të jesh i interesuar për të mësuar në kohë rekord se cila është partia fituese në zonën tënde zgjedhore, do mjaftojë t’i drejtohesh godinës ku do të jetë vendosur Grupi i Numërimit të Votave për të parë në monitorin e madh që do të jetë instaluar aty, se sa vota ka siguruar subjekti që mbështet apo simpatizon.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›