E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti i Vlores, ekspertët: Mjekët vepruan drejt

Sipas ekspertëve të Tiranës konkluzioni përfundimtar ndaj pacientes e cila ndërroi jetë dy ditë më parë ne spital, do të jepet pasi "të dalin rezultatet në laboratori. "Terapia e aplikuar nga mjekët e spitalit të Vlorës ishte e duhura" 

VLORË - Sipas ekspertëve të Tiranës, "terapia e aplikuar nga mjekët e spitalit të Vlorës ndaj pacientes Rajmonda Bleta, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë, ka qenë në përputhje me shenjat e problemeve shëndetësore që kanë konstatuar ata". Por, ekspertët shtojnë se konkluzioni përfundimtar do të jepet pasi "të dalin rezultatet e kampionit të dërguar në laboratorin qendror". Ndërkohë dje, në vendlindjen e saj, në Tepelenë, është bërë ceremonia e varrimit të 22-vjeçares Bleta. Luter Nuraj, drejtori i spitalit të Vlorës, pohoi se "autopsia vërtetoi se nuk ka diskordancë mes mjekimit dhe shkakut të temperaturës, që çoi në vdekjen e 22-vjeçares Bleta". Sipas tij, autopsia vërtetoi se nga pikëpamja makroskopike, pacientja nuk vuante nga ndonjë sëmundje specifike, sikundër është meningjiti, që të arrihet në konkluzionin se mjekimi i përdorur ishte i dëmshëm. "Gjendja febrile e pacientes solli për pasojë dhe konvulsionet, që çuan në vdekjen e saj", - sqaroi mjeku Nuraj. "Gjithçka do të përcaktohet nga analizat që do të zhvillohen në vazhdimësi, ku përfshihen edhe biopsia, marrja e kampioneve të lëngjeve të stomakut etj", - përfundoi ai. 22-vjeçarja, me origjinë nga Tepelena, ishte martuar katër muaj më parë në fshatin Risili të Vlorës. Nga të dhënat rezulton se një muaj më parë, ajo bëri një abort të detyruar dhe për këtë u shtrua në spitalin e Vlorës, ku vazhdoi kurimin për disa ditë. Pas këtij momenti, gjendja shëndetësore e saj erdhi duke u keqësuar. Ndërsa, në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, pas disa orëve në spital ku mori serume e injeksion për uljen e temperaturës, ndërroi jetë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›