E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit, Sejko: Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë prej 3%

Ditën e sotme,  Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Gent Sejko u shpreh:

“Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një rol esencial në këtë kontekst. Qëndrimi i saj konsistent me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe fleksibiliteti operacional kanë kontribuuar në ankorimin e pritjeve për inflacionin dhe kanë gjeneruar kushte financiare të përshtatshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve të familjeve dhe bizneseve.

Parashikimet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Ekonomia pritet të rritet pranë potencialit të saj gjatë horizontit afatmesëm, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Inflacioni i çmimeve të konsumit rezultoi në nivelin mesatar prej 2.2%, gjatë muajve tetor e nëntor, duke shënuar një rënie të lehtë nga tremujori i tretë. Kjo ecuri u diktua më së shumti nga ulja e inflacionit të artikujve ushqimorë. Paralelisht me to, rritja e shpejtë e çmimit të qirasë u frenua në muajin nëntor, kontributi negativ i inflacionit të naftës u zbeh plotësisht, ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë rezultoi përgjithësisht i qëndrueshëm.

Në terma makroekonomikë, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të jenë në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve, duke pasqyruar një ekuilibër më të mirë të kërkesës dhe ofertës në tregun e produkteve. Nga ana tjetër, presionet e huaja janë dobësuar më tej, në pasqyrim të rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimit – ndonëse më të ngadaltë – të Lekut. Në reflektim të këtyre zhvillimeve, inflacioni i brendshëm dhe ai bazë janë rritur gjatë vitit, duke qëndruar rreth niveleve mesatare 3.1-3.5% në muajt tetor-nëntor, ndërkohë që inflacioni i importuar është në territor negativ dhe ai afatshkurtër ka zbritur në minimumet e tij historike.

Pas rritjes me 3.6% në gjashtëmujorin e parë, informacioni i disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të ngjashme edhe në gjysmën e dytë të vitit. Të dhënat nga sektori real, monetar e fiskal, sinjalizojnë rritjen e mëtejshme të konsumit, investimeve dhe eksporteve të shërbimeve, duke reflektuar vijimin e trendit pozitiv gjatë muajve të fundit. Në veçanti, rritja me rreth 22% e shërbimeve të turizmit në tremujorin e tretë, tregon vijimin e kontributit pozitiv të këtij sektori. Kjo dinamikë ka ndikuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm, duke e çuar ekonominë shqiptare – për herë të parë në periudhën post-tranzicion – drejt suficitit të llogarisë korrente për tre tremujorët e parë të vitit.

Rritja ekonomike është pasqyruar edhe në ecurinë e tregut të punës. Shkalla e papunësisë zbriti në 8.1% në tremujorin e tretë, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%, duke treguar një rritje dinamike dhe me bazë të gjerë. Deri tani, rritja e pagave ka mbështetur rritjen e fuqisë blerëse të familjeve, pa gjeneruar presione shtesë mbi inflacionin. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe kufizimet në fuqinë punëtore vazhdojnë të mbajnë nën presion tregun e punës, duke përbërë një rrezik të kahut të sipërm mbi ecurinë e inflacionit.

Në tërësi, faktorët mbështetës të rritjes ekonomike në afatin e mesëm paraqiten solidë. Gjendja e qëndrueshme financiare e sektorit privat, së bashku me klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit, kanë nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private. Paralelisht me to, rritja e të ardhurave nga turizmi ka vijuar të japë një kontribut pozitiv në ekonomi.

Njëkohësisht, politikat e kujdesshme dhe të koordinuara makroekonomike kanë bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kanë forcuar qëndrueshmërinë makroekonomike.

Në veçanti, politika monetare ka lëvizur në kahun akomodues gjatë vitit 2025, duke ulur normën bazë të interesit në muajin korrik dhe duke vijuar të ruajë një prezencë të lartë në tregun valutor, me qëllim zbutjen e presioneve forcuese ndaj kursit të këmbimit. Këto ndërhyrje kanë kontribuuar në një stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit dhe të mjedisit financiar.

Për rrjedhojë, tregu financiar është shfaqur i qëndrueshëm, me prime të ulëta rreziku dhe norma të ulëta interesi. Kredia për sektorin privat ka vijuar të zgjerohet me ritme të larta, e nxitur nga kërkesa e qëndrueshme dhe e mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 14.2% në muajin tetor, duke qëndruar pranë ritmeve të vitit të kaluar, por dukshëm mbi mesataren e viteve të fundit. Në veçanti, vihen re tre zhvillime pozitive: së pari, rritja e qëndrueshme e kredisë për investime, e cila sinjalizon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të vendit; së dyti, rritja e shpejtë e kredisë në Lek dhe rritja e peshës së saj ndaj totalit, çka përmirëson si hapësirën e veprimit të politikës monetare ashtu edhe stabilitetin financiar të vendit; dhe, së treti, cilësia e qëndrueshme e portofolit, e ilustruar nga niveli i ulët i raportit të kredive me probleme, prej 4.3%.

Në këtë kontekst, parashikimet për të ardhmen mbeten pozitive.

Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë prej 3%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Në mungesë të goditjeve të ofertës, ky kthim do të mbështetet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare, moderimi i mbiçmimit të Lekut dhe nga qëndrueshmëria e presioneve të brendshme, në pasqyrim të rritjes së shëndetshme të ekonomisë dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve. Ai ofron një balancë të drejtë midis nxitjes së rritjes ekonomike në afatin e shkurtër me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit, zhvillim i cili do të gjejë një faktorizim në rritje në vendimmarrjen tonë të ardhshme. Megjithatë, vendimet e politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen në çdo rast nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit në vend, si dhe me zhvillimet potenciale në tregjet ndërkombëtare dhe partnerët tanë të huaj tregtarë”.

Gjatë fjalës së tij, Sejko bëri edhe një përmbledhje të shkurtër për vitin 2025.

Viti 2025 shënoi një moment historik për Bankën e Shqipërisë, me kremtimin e 100-vjetorit të krijimit të bankës qendrore dhe të themelimit të sistemit monetar shqiptar. Ky përvjetor u konceptua jo vetëm si një akt përkujtimor, por si një platformë reflektimi dhe komunikimi publik mbi rolin e bankës qendrore në ndërtimin e shtetit, garantimin e stabilitetit ekonomik dhe përparimin e procesit të integrimit evropian. Përmes një programi të gjerë aktivitetesh institucionale, kulturore dhe akademike, Banka e Shqipërisë ndërtoi një narrativë gjithëpërfshirëse që lidhi trashëgiminë historike me misionin dhe sfidat e së ardhmes, duke forcuar më tej lidhjen me publikun dhe besimin në institucion.

Paralelisht me të, komunikimi institucional u fokusua në shpjegimin e vendimmarrjes së Bankës lidhur me politikën monetare, stabilitetin financiar dhe reformat strukturore, me synim forcimin e besueshmërisë dhe pritjeve të informuara të aktorëve ekonomikë. Përmes një sërë publikimesh, fjalimesh, njoftimesh për shtyp, intervistash dhe postimesh në rrjetet kryesore sociale, komunikimi ka kontribuuar në rritjen e kuptueshmërisë së vendimmarrjes së Bankës dhe në forcimin e dialogut me publikun, duke mbështetur stabilitetin makroekonomik dhe financiar të vendit”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›