Hoxha: Artikulli në median gjermane propozoi afrimin gradual me strukturat kryesore të BE, jo relativizim të procesit

TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se integrimi europian është dhe mbetet absolutisht objektiv strategjik i panegociueshëm, ndërsa theksoi se artikulli i përbashkët i Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç propozon afrimin gradual me strukturat kryesore të BE-së përpara anëtarësimit.
I autorizuar nga kryeministri Edi Rama, ministri Hoxha iu përgjigj interpelancës së kërkuar nga deputeti demokrat Tritan Shehu, lidhur me artikullin e përbashkët të Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i publikuar në një gazetë gjermane në muajin shkurt të këtij viti.
Hoxha u shpreh se “procesi i zgjerimit të BE-së dhe e ardhmja europiane e rajonit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë objekt diskutimesh të shumta në të gjitha nivelet, gjerësisht në Evropë”.
Sipas tij, “zgjerimi shihet tashmë si një mjet për forcimin e stabilitetit, të demokracisë, shtetit së drejtës dhe për më tepër për rritjen e peshës globale të vetë Bashkimit Europian”.
“Ky riorientim i pozicionit të BE-së ka nxitur një valë të gjerë diskutimesh në nivel europian dhe rajonal. Nga modelet e integrimit gradual te anëtarësimi i diferencuar apo fazat e përfshirjes në politika dhe tregje të përbashkëta, debati reflekton një përpjekje serioze për të gjetur një ekuilibër mes nevojës për zgjerim dhe kapacitetit të vet BE-së për të qenë efiçente”, sqaroi Hoxha.
Natyrshëm, sipas tij, “situata të tilla komplekse por me ndjeshmëri të veçantë të agjendave europiane kërkojnë kreativitet, fleksibilitet dhe vizion”.
“Ky është konteksti në të cilin duhet parë artikulli i publikuar në muajin shkurt. Në mënyrë të përmbledhur artikulli nuk sfidon aspak objektivin strategjik të integrimit europian, që është dhe mbetet absolutisht objektiv i panegociueshëm. Ai nuk është opsion, por është objektivi ynë strategjik kombëtar”, sqaroi Hoxha.
Hoxha sqaroi se në artikull nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga ky synim as për relativizimin e tij e për më pak, për zëvendësim të rrugës që po ndjekim.
Hoxha sqaroi se në artikull propozohej në fakt një rrugë e përshpejtuar dhe fleksibël që është afrimi gradual me strukturat kryesore të Bashkimit Europian përpara anëtarësimit, veçanërisht në fushat ekonomike të tregut të brendshëm dhe lëvizshmërisë, ndërkohë që procesi i anëtarësimit vazhdon natyrshëm me metodologjinë dhe me rrugën aktuale.
Ky, sipas tij, “është thelbi i asaj që është artikuluar qartë në tekst”.
Duke sjellë në vëmendje realitetin evropian, Hoxha theksoi se “përpara 15 vjetësh procesi i integrimit europian ishte më i parashikueshëm, ndërsa sot është më kompleks, më kërkues dhe më sfidues.
“Vetë BE-ja përballet me sfida dhe me kundërshti të cilat nuk mund t’i injorojmë ndërkohë që synojmë të anëtarësohemi. Me shumë të drejtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, kanë një pritshmëri legjitime për të mos mbetur në zonën e pritjes pafund dhe kjo krijon një nyjë që duhet adresuar”, shtoi ai.
Hoxha theksoi se artikulli nënkupton se vendet aspirante përfitojnë më herët përpara anëtarësimit disa prej avantazheve kyçe të anëtarësimit në BE.
“Këto janë katër qasje në tregun e përbashkët që është tregu më i madh në botë. Pjesëmarrje të hershme në programet e politikave europiane transformuese të cilat e kanë treguar në vendet që janë bashkuar në Bashkimin Europian më përpara se sa transformuese janë. Rritja e lëvizshmërisë për qytetarët dhe biznesit dhe integrim më i mirë ekonomik dhe financiar”, shtoi ai.
Hoxha theksoi se “nëse BE-ja do të adoptonte një qasje të tillë për vendet përfituese, dhe vendet përfituese do të tregonin një fleksibilitet të përkohshëm për një periudhë të kufizuar, të mirëpërcaktuar në ushtrimin e disa të drejtave të plota, të cilat burojnë vetëm me anëtarësimin e plotë”.
Por, Hoxha sqaroi se është thelbësore të kuptohet se kjo nuk përbën kurrsesi heqje dorë nga këto të drejta, përkundrazi do të ishte një fazë tranzitore që synonte përshpejtimin e tyre.
“Në këtë kuptim fleksibiliteti nuk është dobësi, por është inteligjencë politike dhe strategjike. Përmes një qasje të tillë synohet të forcohet besueshmëria e procesit të integrimit. Njëkohësisht rritet bashkëpunimi me stabilitetin rajonal”, shtoi ai.
Hoxha theksoi se një rajon më i integruar ekonomikisht me BE-në është një rajon më i ndërlidhur, më pak i ekspozuar ndaj tensioneve dhe ndikimeve destabilizuese.
“Fakti që ky opinion është hartuar bashkë me presidentin e Serbisë nuk duhet dhe nuk mund të interpretohet si tregues i ndonjë aleance të veçantë apo më pak, i ndonjë projekti kundër ndokujt në rajon apo jashtë. Është veçse një artikull, as aleancë, as projekt, as vendim. Është dëshmi se vendet e rajonit, pavarësisht dallimeve shpesh të thella lidhur me Kosovën dhe jo vetëm, janë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët kur interesat strategjike përkojnë”, shtoi Hoxha.
Integrimi evropian është një prej tyre dhe sipas Hoxhës, “kërkon bashkëpunim dhe dialog”.
Hoxha siguroi për mbështetjen e plotë, pa rezervë për shtetin e Kosovës, sovranitetin dhe subjektivitetin kombëtar të saj.
“Këto janë qëndrime të njohura, të konsoliduara të politikës sonë të jashtme. Sipas artikullit integrimi në tregun europian dhe në hapësirën e Shengenit do të sillte përfitime për të gjitha vendet e rajonit, si për Shqipërinë ashtu dhe për Kosovën, në kuadër të një qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese”, shtoi Hoxha.