E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai, apel në "A1 Report": Jepni 2 mijë €, shpëtoni tim bir!

 TIRANË - Jeta e 25-vjeçarit Euklid Arapi nga Lushnja varet vetëm nga 2 mijë euro që familja e tij nuk i ka për të prerë biletat, që do ta transferonin në Turqi, ku mund të kryhet operacioni i nevojshëm, afat ky i cili mbaron në fund të këtij viti. 

”Kush ka mundësi të më ndihmojë do t’i isha mirënjohës tërë jetën se djali rrezikon meningjitin”, thotë Hyqmet Arapi, babai  53-vjeçar, i cili i drejtohet televizionit “A1 Report” për të bërë apel për ndihmë, pasi operimi i djalit të tij 25-vjeçar është urgjent dhe duhet të kryhet në Turqi.

25-vjeçari Euklid Arapi pasi është rrëzuar nga kati i 7 i një ndërtese prej 6 muajsh iu është nënshtruar 4 ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin shtetëror “San Giovanni Battista Molinette” në Torino të Italisë. Por nga mungesa e dokumentacionit dhe e mijëra eurove të nevojshme, babai i dëshpëruar i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare.

Ia ka dale të fitojë edhe epikrizën për ta dërguar në Turqi, por familja Arapi ka harxhuar aq shumë para gjatë muajve të qëndrimit në Spitalin Ushtarak në Tiranë, sa tani nuk ka mundësi as për të blerë një palë këpucë të reja, që do ta ndihmonin në kërkimin e mëtejshëm të shërimit të të birit.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›