E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Obamës, abuzues!

Vëllai i presidentit të SHBA-së, Barack Obama, ka thyer heshtjen e tij mediatike për të diskutuar për librin e tij e rirrëfimin e tij gjysmë-autobiografik për prindin abuzues, për babanë e ndjerë të tyre, figurën që mungon më së shumti në librin e kujtimeve të Barack Obamës.

Në intervistën e tij të parë, Mark Ndesandjo tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se ka shkruar librin Nga Nairobi në Shenzhen pjesërisht për të ngritur vetëdijen për dhunën brenda familjes.

Babai im ka rrahur nënën time, ndërsa nëna më ka rrahur mua dhe këto gjëra nuk bëhen, tha Ndesandjo, nëna e të cilit, Ruth Nidesand, ka qenë bashkëshortja e tretë e Barack Obamës së vjetër. Është kjo një gjë që ka pasur efekt në jetën time, shtoi ai.
Sikur edhe karakteri kryesor në librin e tij, Ndesandjo ka pasur një nënë amerikane, e cila ka qenë hebreje dhe e cila është shkurorëzuar nga i ati i tij nga Keni. Libri, i cili doli në shitje dje, është një nga librat të cilët janë shkruar apo janë duke u shkruar nga të afërmit e presidentit amerikan.

Prindërit e Obamës u ndanë dy vjet pas lindjes së tij në Havai në vitin 1961. Obama i vjetër, një student nga Kenia, u shkurorëzua në vitin 1964 nga nëna e presidentit, Stanley Ann Dunham dhe kishte edhe gjashtë fëmijë tjerë në Keni.

Ka tashmë shtatë vjet që Ndesandjo jeton në qytetin kinez Shenzhen, në afërsi të Hong-Kongut dhe ai deri më tani ka refuzuar të gjitha kërkesat për intervistë.

Ndesandjo, i cili thotë se ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Obamës për president si mysafir i familjes, nuk pranoi të flasë për kujtimet e tij të mëhershme për Obamën apo të përshkruajë marrëdhëniet mes tyre gjatë viteve. Sidoqoftë, ai planifikon të takohet me vëllanë e tij në Pekin gjatë vizitës zyrtare të Obamës në Kinë, prej 15 deri më 18 nëntor.

Planifikoj ta prezantoj me bashkëshorten time. Ajo është adhuruesja e tij më e madhe, tha Ndesandjo.

Pak kohë pas shkurorëzimit nga nëna e presidentit, Obama i vjetër u takua me Nidesandin, gjatë kohës sa ishte student në Universitetin e Harvardit. Nidesand shkoi në Keni me Obamën e vjetër në vitin 1965, ku u lindën dhe u rritën Marku dhe vëllai i tij, Davidi. Davidi më vonë humbi jetën në një aksident.

Në Keni, Obama i vjetër kishte katër fëmijë me bashkëshorten e tij të parë, Kezian. Nidesand dhe Obama i vjetër u shkurorëzuan, si rezultat i akuzave për dhunë familjare. Nidesand u kthye në SHBA dhe u martua me njeriun, mbiemrin e të cilit e ka marrë edhe Mark Ndesandjo. Obama i vjetër vdiq në vitin 1982 në moshën 42 vjeçare, si pasojë e një aksidenti automobilistik.

Presidenti Obama është takuar vetëm një herë me të atin, pas shkurorëzimit të prindërve të tij, kur kishte vetëm 10 vjet. Në librin e tij të kujtimeve, Ëndrrat e babait tim, Obama ka shkruar se si është rritur pa baba dhe si ka qenë në kërkim të identitetit.

Ndesandjo, i cili është shtetas amerikan, pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij e ka kaluar në Keni, para se të shkonte për të studiuar në SHBA.

Ndesandjo u vendos në Kinë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ai tani flet gjuhën kineze dhe punon si këshilltar në një firmë për marketing. Ai thotë se Shtëpia e Bardhë ka pasur njohuri për publikimin e librit të tij.

Ndesandjo thotë se shumë fragmente të librit ndërlidhen drejtpërsëdrejti me përvojën e tij personale jetësore. Me kujtohen situata gjatë kohës sa po rritesha, kur dëgjoja klithje nga dhoma e prindërve. Më kujtohet se si një natë nëna ime u arratis nga shtëpia dhe nuk e dinte se ku të shkonte. Nëna ime shpesh e ka cilësuar babanë tim si njëri tejet të mençur, por si një dështim social, tha Ndesandjo.

Ai më tutje theksoi se në librin e tij nuk ka dashur të prekë tema politike. Mendoj se ekipi i vëllait tim është duke e bërë një punë të jashtëzakonshme dhe nuk dëshiroj ti shkaktoj atij kokëçarje shtesë, tha vëllai i Obamës.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›