E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB-ja evakuon personelin nga Afganistani

OKB-ja ka njoftuar sot se do të evakuojë për disa javë me qindra punëtorë ndërkombëtarë nga Afganistani, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, goditje kjo e fuqishme për përpjekjet e perëndimit për të stabilizuar këtë vend.

Zëdhënësi Aleem Siddique, theksoi se OKB-ja do të zhvendosë 600 nga 1100 anëtarët e personelit të vet, me disa prej tyre të cilët do të dërgohen në disa rajone më të sigurta brenda Afganistanit, ndërsa të tjerë do të largohen përkohësisht nga vendi.

Ky vendim, një javë pas vrasjes së pesë punëtorëve të OKB-së nga ana e militantëve në Kabul, e komplikon strategjinë e luftës kundër kryengritjes të presidentit amerikan, Barack Obama, e cila parasheh shtimin e asistencës civile, krahas shtimit të numrit të ushtarëve.

Obama pritet që gjatë javëve në vijim të marrë vendimin në lidhje me kërkesën e komandantëve të tij në terren, për të dërguar disa mijëra ushtarë shtesë në Afganistan. OKB-ja theksoi se evakuimi i personelit nuk do të pengojë operacionet e kësaj organizate në Afganistan.

Po bëjmë çmos që është në fuqinë tonë për të minimizuar pengesat në punën tonë, gjatë kësaj periudhe, deklaroi i dërguari i posaçëm i OKB-së në Afganistan, Kai Aide.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›