E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet transformatori, fshati pa ujë

PERMET – Një fshat në rrethin e Përmetit ka ngelur pa ujë. Shkak është bërë grabitja e transformatorit elektrik që furnizon me rrymë stacionin e pompimit të ujësjellësit të fshatit Bedyqas. Policia ka rënë në gjurmët e grabitësve duke i arrestuar ata në flagrancë. Burimet zyrtare nga Komisariati i Policisë së Përmetit kanë konfirmuar për gazetën Panorama se vjedhja është konstatuar në orët e mëngjesit të së enjtes, falë një telefonate drejt Sallës Operative. Menjëherë specialistët e Parandalimit dhe të Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet, kanë shkuar në vendngjarje për të zbuluar autorët e grabitjes së pompave. Duke pasur për bazë informacione të marra nga terreni, u bë e mundur që rreth orës 14:00 të së enjtes, të identifikoheshin autorët e vjedhjes, të cilët janë Rimel Shehu, 24 vjeç dhe Albion Kalemaj, 23 vjeç, të dy nga fshati Anë Vjosë rrethi Tepelenë. Policia Përmetit e mbështetur edhe nga specialistët e Parandalimit dhe Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesat e të rinjve të prangosur, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bobinat elektrike, telin e bakrit të bobinave, disa çelësa që dy të arrestuarit kishin përdorur për të çmontuar transformatorin, si dhe automjetin e Kalemajt, me të cilën u transportuan materialet e vjedhura.                              p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›