E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babanë e vranë se policia nuk veproi pas 10 padive

Alban Kapllari

Po shkove në polici, të vras. Unë nuk kam çfarë të lë mbrapa, ti ke çfarë të lësh.Dy duar për një kokë janë. Këto kanë qenë kërcënimet e vazhdueshme që 61-vjeçari Ylvi Kodra përsëriste thuajse çdo ditë ndaj pronarit të shtëpisë ku jetonte me qira, Sami Kapllarit. Alban Kapllari, djali i viktimës, i cili u vra me thikë pak ditë më parë, akuzojnë policinë për atë që ndodhi. Sipas tyre, Sami Kapllari është ankuar disa herë në komisariat, madje ka bërë edhe kallëzim për kanosje, por askush nuk ia ka vënë veshin. I plotfuqishmi i zonës ku ne banojmë ka qenë në dijeni të çdo konflikti dhe të çdo kërcënimi. Madje ai erdhi disa ditë para ngjarjes në shtëpi dhe shprehimisht tha: Vrafshi veten…, tregoi dje djali i viktimës.
Cili ka qenë konflikti i fundit që babai juaj ka pasur me autorin?
Babi im nuk ishte njeri që bënte konflikte. Nuk kanë bërë debate asnjëherë. Por ai kishte dy muaj që nuk kishte paguar qiranë e shtëpisë dhe këtë problem ne e kemi pasur gjithmonë me të. Për këtë arsye babai shkoi të ankohej në polici, por aty askush nuk ia vuri veshin. Para disa ditësh, babai i tha Ylviut që, sa të shkonte prapë në polici të ankohej, më mirë të ikte vetë nga shtëpia. Në fakt, kishte shkuar të ankohej në polici mbi 10 herë. Por ai iu përgjigj: Unë nuk kam çfarë të lë mbrapa, ti kë çfarë të lësh. Dy duar për një kokë janë. Po vajte në polici, unë të marr jetën.
Pra ju thoni se policia ishte në dijeni të këtij problemi dhe kërcënimeve që autori i bënte babait tuaj?
Babai, siç ju thashë, ka shkuar mbi dhjetë herë në polici. Ata kishin qenë këtu, kishin biseduar dhe ishin në dijeni të gjithçkaje po ndodhte. Por i plotfuqishmi i zonës, i cili erdhi këtu para disa ditësh, para vrasjes, dhe pasi hyri në oborr, tha vrafshi veten… dhe iku. Po të kishte vepruar policia, babai im sot do të ishte gjallë.
A mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Atë ditë ai e ka ruajtur babanë tim dhe gjithçka e ka kryer me dashje e me paramendim. Atë ditë do të vinte policia, pas ankesave që ne kishim bërë. Babai ishte kthyer në shtëpi në mëngjes për të marrë një certifikatë dhe pasaportën. Sa ishte kthyer nga Peza, sepse punonte në një servis që kemi atje dhe më shumë jetonte në Pezë, sesa te shtëpia këtu. Sa ka kaluar shkallët, Ylviu i ka ardhur nga mbrapa me thikë dhe e ka goditur në anën e majtë të qafës, pasi e ka zënë në befasi. Më pas e ka goditur edhe në kokë, në pjesën e ballit. Gjithçka e ka parë nipi i tij 7 vjeç, i cili është ngjitur me vrap në katin e dytë. Xhaxhai im ka kërkuar ndihmë te policët që ndodheshin te shkolla Naim Frashëri, ku numëroheshin votat, që është ngjitur me shtëpinë tonë. Por asnjë prej policëve nuk ka ndërhyrë dhe ambulanca ka ardhur pas një ore, kur ai kishte ndërruar jetë.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›