Presidenti Topi: Vota e gabuar? Spekulim
TIRANE- Vota e hedhur në 8 maj nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është bërë dje objekt debati në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nga procesi i numërimit të votave të kontestuara për njësinë bashkiake nr.9, ka rezultuar se në qendrën e votimit nr.1968, është gjetur vetëm një fletë votimi e hedhur në kutinë e gabuar. Televizionet ‘Klan’ dhe ‘ABC News’ pretenduan pak ditë më parë nëpërmjet pamjeve filmike të votimit të presidentit në shkollën 9-vjeçare “Servete Maçi” në njësinë nr.9, se sipas tyre dallohej hedhja e votës në kutinë e gabuar. Këto televizione pretendonin se kreu i shtetit e kishte hedhur votën e tij me shirit të verdhë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, në kutinë për kreun e njësisë bashkiake, e cila dallohej prej ngjyrës kafe. Referuar këtij fakti si dhe zbulimit të vetëm një flete të hedhur gabim tek qendra e votimit nr.1968, i menjëhershëm ishte dhe reagimi i anëtarit të KQZ-së, Artan Lazaj. “Nëpërmjet zbulimit të fshehtësisë së votës ne po dëmtojmë demokracinë. Unë dëgjova në lajme se është zbuluar se Presidenti i Republikës ka hedhur votën në kutinë e gabuar dhe tani që ju thoni se u gjet se kujt i përket kjo votë, nuk është as etike por edhe as ligjore”, - u shpreh Lazaj. I menjëhershëm ishte reagimi i përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, Niazi Kosovrasti, i cili tha se “KQZ-ja ka hapur dhe qendra votimi të tjera dhe nuk është se ky institucion ka shkelur fshehtësinë e votës”. I menjëhershëm ka qenë reagimi lidhur me këtë çështje edhe i vetë kreut të shtetit. Në emër të tij, zëdhënësja Mimoza Koçiu bëri publike nëpërmjet një deklarate për shtypin se “Presidenti i Republikës, Bamir Topi hedh poshtë me neveri spekulimet politike dhe mediatike lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë më 8 maj për organet e qeverisjes vendore. Presidenti i Republikës e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”. Në reagimin e Topit theksohet gjithashtu se “çdo qytetar i interesuar ka pasur rastin të shohë në formë publike e vizive aktin e votimit të Presidentit, si votim i rregullt, ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër mbetet produkt i sajuar politik e mediatik, i lidhur me kontekstin politik të ditës, si dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa në administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve”, përfundon reagimi i kreut të shtetit.
(s.g/Tedi Blushi i GSH/BalkanWeb)
(s.g/Tedi Blushi i GSH/BalkanWeb)