E Diel, 1 Nëntor 2026

Baiden: SHBA dhe aleatët e NATO-s nuk po e fitojnë luftën në Afganistan, por lufta nuk është humbur

Nënpresidenti amerikan Xho Baidën tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s nuk po e fitojnë luftën në Afganistan, por ai theksoi se lufta nuk është humbur.

Po sot në Bruksel, zoti Baiden tha në një takim të Këshillit të Atlantikut Verior, forumi vendim-marrës i NATO-s, se përkeqësimi i gjendjes së sigurisë në Afganistan përbën kërcënim si për Shtetet e Bashkuara edhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Ai tha se sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe çdo sulm tjetër që prej atëhere në Evropë u planifikua nga ekstremistët islamikë në Afganistan dhe në Pakistan.

Nënpresidenti Bajdën tha gjithashtu se ndodhej në Bruksel për të dëgjuar dhe për të kërkuar ide të reja si dhe ndihmë në hartimin e një strategjie të re për t'iu përgjigjur sulmeve ekstremiste në rritje në Afganistan.

Sekretari i Përgjithsëm i NATO-s, Jap de Hup Shejfer, mbështeti idenë e një politike të re dhe tha se aleatët e NATO-s janë të detyruara ta mbështesin atë.

Administrata Obama ka miratuar dërgimin e një kontingjenti prej 17 mijë trupash të tjera në Afganistan dhe i kanë bërë thirrje aleatëve të NATO-s të shtojnë kontributin e tyre.

Shumë vende europiane ngurrojnë të dërgojnë trupa të tjera ushtarake në Afganistan, por kanë thënë se mund të ndihmojnë me mënyra të tjera si trainim të policisë ose në përgatitjen e vendet për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për këtë vit.

Presidenti Obama ka thënë se është i hapur ndaj idesë për bisedime me elementë të moderuar të Talibanit.       (ze) 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›