Baird: Kosova e ka përkrahjen e Kanadasë

Ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Kanada, është takuar me homologun e tij kanadez, John Baird, të cilit Hoxhaj i ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë për mbështetjen që Kanadaja ka dhënë për Kosovën gjatë kohës së luftës dhe në procesin e shtetndërtimit.
“Kanadaja ka qenë prej vendeve të para që e kanë njohur Kosovën dhe ka kontribuar me ndihma humanitare dhe forca të policisë në ruajtjen e sigurisë në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera ministri Hoxhaj, duke shprehur mirënjohje edhe për mbështetjen e Kanadasë për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB) dhe së fundmi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Hoxhaj ka vlerësuar edhe përkrahjen e Kanadasë për Kosovën në procesin e integrimeve euroatlantike.
Ai ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me Kanadanë, duke përmendur inicimin e marrëveshjeve në bashkëpunim ligjor ndërkombëtar, për mbrojtjen e investimeve të dyanshme, për heqjen e taksës së dyfishtë dhe organizimin e forumit të investimeve ndërmjet dy vendeve.
Hoxhaj veçoi edhe përkrahjen e Kanadasë në procesin e njohjes.
“Vlerësojmë lartë angazhimin e Qeverisë dhe popullit kanadez në mbështetjen e Kosovës në procese historike të vështira nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe populli ynë”, tha Hoxhaj./Indeksonline/