Bajerni në finale, mund Mynshegladbahun me penallti
Nuk kanë mjaftuar 90 minuta lojë për të nxjerrë dje në mbrëmje finalisten e dytë të Kupës së Gjermanisë. Borusia e Mynshegladbahut luajti si e barabartë ndaj gjigantëve të Bajernit të Mynihut, duke e çuar ndeshjen deri në minutën e 120-rt, pra dy shtesa nga 15 minuta. Më pas u deshën gjuajtjet e penalltive për të nxjerrë edhe fituesin e kësaj gjysmëfinaleje. Alaba për Bajern gjuan i pari duke shënuar, pavarësisht se portieri arriti ta prekë paksa topin, por jo ta devijojë. Daems për Borusian shënon duke barazuar, ndërsa Riberi kalon sërish në avantazh Bajernin. Afrohet Herrman për vendësit dhe sërish barazim. I treti vjen kapiteni Filip Lahm, i cili shënon pa problem, ndërsa Dante për Mynshegladbahun gjuan jashtë. Toni Kros rrezikon shumë, por shënon, ndërsa Norveit gabon në mënyrë fatale duke bërë kështu që Bajerni të shkojë në finalen e Kupës së Gjermanisë, ku e pret kampioni në fuqi, Borusia Dortmund. Kjo e fundit eliminoi mbrëmë Grojther Fruth pas 120 minutash lojë, por pa shkuar te penalltitë, pasi në minutën 119 ishte turko-gjermani Gundogan që shënoi golin e vetëm të ndeshjes, që i dha edhe kualifikimin Dortmundit.