Vlonjatët në katërshe, kapitullon Vllaznia
Kupa e Shqipërisë/ Skënderbeu-Laçi, tjetër seancë stërvitore në Peqin.
Bylisit nuk i mjafton “pokeri” i Abazajt, kalon Kastrioti.
Tirana, Kastrioti, Flamurtari dhe Skënderbeu janë katër skuadrat që kanë kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Këto skuadra arritën të zinin respektivisht dy vendet e para në grupin A dhe B, pas ndeshjeve të zhvilluara, sipas formatit të ri që bëri këtë sezon FSHF-ja. Në pamje të parë bien në sy kualifikimi i Kastriotit, skuadër kjo që për herë të parë tregon interesim, por edhe angazhim total përkundrejt kompeticionit të Kupës. Asnjëherë më parë kjo skuadër nuk e kishte pasur si objektiv primar Kupën, duke mos pretenduar më shumë se sa çerekfinalet (madje edhe këtu janë kualifikuar vetëm një herë). Krutanët fituan dje në ndeshjen e fundit në grup ndaj Tiranës, e cila nuk kishte asnjë motivim përderisa ishte kualifikuar që pas ndeshjes me Bylisin. Në këtë kontekst, për krutanët ka qenë më e lehtë për të marrë një fitore falë golave të Sefës dhe Inkangos, duke kërkuar për herë të parë që të pretendojnë edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë. Duhet thënë se rezultati i ndeshjes në Krujë ishte deciziv edhe për Bylisin. Ballshiotët fituan me goleadë ndaj Kamzës, por kjo nuk mjaftoi. Ekipi i drejtuar nga Shansoji nuk e ka prekur dot gjysmëfinalen e Kupës, përpos triumfit me shifrat 5-1 kundër kamzalinjve. Fitorja e Kastriotit ka zhvlerësuar “pokerin” e Abazajt dhe golin e Metos. Tifozët, ndonëse të pakët në stadium, e kanë ndjekur me shumë tension këtë përballje, mirëpo lajmi i ardhur për fitoren e krutanëve i ka demoralizuar. Për rrjedhojë, edhe ata janë larguar nga stadiumi, pasi ishte e kotë që të shihnin vazhdimin e saj. Tashmë për mallakastriotët ka mbetur vetëm një pistë për të kapur Europën, të fitojnë të gjitha sfidat e radhës e të shpresojnë te hapat fals të rivalëve. Por ndeshjet me më shumë interes priteshin dje ato që do luheshin për grupin B, ku të katër skuadrat kishin shanse për t’u kualifikuar. Por Vllaznia kapitulloi në “Loro Boriçi”, teksa në ndeshjen e shpresës humbi ndaj Flamurtarit 0-1, duke vulosur në këtë mënyrë edhe dështimin e këtij sezoni. Kuqeblutë duhet të fitonin me një diferencë prej dy golash për të kaluar në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, por dje nuk kanë arritur dot as të barazojnë ndaj vlonjatëve. Një gol i sulmuesit kroat, Pero Pejiç, ka vendosur takimin në Shkodër. Kuqezinjtë kanë festuar kualifikimin në një ndeshje delikate, në një kohë vendësit kanë pranuar humbjen në fushë. Ndërsa Skënderbeu është kualifikuar lehtësisht për në turin gjysmëfinal të kupës, pasi dje ka mundur me rezultatin minimal Laçin në fushën asnjanëse të Peqinit. Takimi i ngjante një miqësoreje të vërtetë me të dyja skuadrat që nuk po pretendonin asgjë nga njëra-tjetra. Një lojë pa emocione dhe pa nerv, e cila mund të jetë edhe për rekord “guinness”, pasi në 45 minutat e para të ndeshjes nuk është shënuar asnjë rast i rrezikshëm në të dyja portat respektive. Kështu, pavarësisht lojës së dobët, ekipi korçar është kualifikuar për në gjysmëfinale të kupës.
Rubio/”Shorti? S’ka rëndësi
Trajneri i Tiranës ka vlerësuar disi kundërshtarin duke humbur edhe lojën e skuadrës së tij, gjithsesi, në një ndeshje pa asnjë motivim për bardheblutë. “Për 70 minuta lojë, pavarësisht presionit, Kastrioti nuk pati një gjuajtje në kuadrat. Rezultati është ky që është dhe nuk mund të këmbehet, por jam koshient që edhe Tirana nuk e rrezikoi Kastriotin aq sa duhej. Shorti? Realisht nuk kam preferenca. Le të bjerë kush të dojë, ne do bëjmë punën tonë dhe do t’i shkojmë deri në fund Kupës me pretendimin që ta fitojmë”, ka pohuar Rubio.
Vata gjen fajtorin: Ishim të lodhur
Tekniku i Vllaznisë, Rudi Vata, ia ka vënë fajin e humbjes lodhjes së ekipit në ndeshjet e fundit. “Skuadra ishte e lodhur në këtë takim dhe këtë e pasqyroi gjatë gjithë lojës. Ne kemi pasur një kontingjent të limituar lojtarësh, që ka qenë i vështirë për të përballuar këtë intensitet takimesh. Edhe kundërshtari ishte në të tilla situata, por e kishte më të lehtë për të administruar atë që dëshironte. Tani ne sjemi më pjesë e Kupës dhe për këtë, natyrisht që më vjen keq”, ka thënë Vata.
Kupa e Shqiperise
Grupi A
Bylis-Kamza 5-1
Shënues: Abazaj 31, 42, 70′, 87, Gega 75/ Tepshi 81′
Kastrioti-Tirana 2-1
Shënues: J.Sefa 71, Inkango 84/ Ferraj 90+4
Renditja – Tirana 11 pikë (e kualifikuar), Kastrioti 10 pikë (i kualifikuar), Bylis 9 pikë, Kamza 2 pikë.
Statistikat
Tirana – 59 pjesëmarrje, 31 herë në gjysmëfinale, 22 herë në finale, 14 herë fituese.
Kastrioti – 26 pjesëmarrje, 1 herë në gjysmëfinale, 0 herë në finale, 0 herë fitues.Grupi B
Vllaznia-Flamurtari 0-1
Shënues: Pejiç 62′
Skënderbeu-Laçi 1-0
Shënues: Kërçiku 69′
Renditja – Flamurtari 11 pikë (i kualifikuar), Skënderbeu 11 pikë (i kualifikuar), Vllaznia 5 pikë, Laçi 5 pikë.
Statistikat
Flamurtari – 57 pjesëmarrje, 18 herë në gjysmëfinale, 11 herë në finale, 3 herë fitues
Skënderbeu – 56 pjesëmarrje, 8 herë në gjysmëfinale, 3 herë në finale, 0 herë fitues.Gjysmëfinalet (me short)
Ndeshjet e para – 04.04.2012
Ndeshjet e kthimit – 18.04.2012
FINALJA – 17.05.2012
LEONARD KARAJ