Bajram Begaj jep dorëheqjen si Shef i Shtabit të Ushtrisë! PS: Meta të mos krijojë ngërç! Presidenti: Do respektoj votën e Kuvendit

Gjeneral Bajram Begaj ka dorëzuar dorëheqjen si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA duke hapur rrugën që të propozohet si kandidat për President i ri i vendit. Dorëheqja e tij është dorëzua në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Kryeministri.
Për votimin e Presidentit të ri u mblodh edhe grupi parlament i PS, ku kreu i këtij grupi Taulant Balla foli edhe për rastin e mundësh të mos lirimit të tij nga presidenti aktual Ilir Meta duke thënë se janë marrë masat që të mos krijohet një ngërç i tillë.
“Ligji për Forcat e Armatosura parashikon që ushtarakët duhet të japin dorëheqje përpara se të emërohen dhe të zgjidhen. Besoj që kjo procedurë do të përfshijë orët në vijim, edhe presidentin aktual të Republikës dhe besoj së nuk do të jetë një betejë e radhës me presidentin aktual. Megjithatë kemi menduar me kryetaren e Komisioni të Çështjes Ligjore mënyrën e zgjidhjes së këtij nëse larg qoftë na krijohet ndonjë ngërç me Presidentin e Republikës”, tha Balla.
Dekretimi i lirimit nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë duhet bërë nga Meta. Duhet thënë se ai sot ndodhet në Stamboll, ku po merr pjesë në një forum ndërkombëtar. Për të qetësuar zërat nëse do e dekretojë apo jo lirimin nga detyra të Gjeneral Bajram Begajt, ka reaguar edhe Presidenca, ku thotë se presidenti Ilir Meta do të respektojë votën e Kuvendit dhe se është në komunikim telefonik me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi për këtë çështje.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e zotit Bajram Begaj si President i ri i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë. Lidhur me këtë çështje dhe specifikat e saj Presidenti Meta ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, z.Niko Peleshi”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Gjeneral Begaj është propozuar nga PS si kandidat për Presidentin e ri të Shqipërisë dhe votimi i tij pritet të bëhet sot në Kuvend në orën 18.00.
/rtsh.al/