PS mbledh Kryesinë për presidentin e ri, Balla: Kemi gati një listë të shkurtër emrash

Vetëm pak orë kanë mbetur nga mësimi se kush do të jetë kreu i shtetit për 5 vitet e ardhshme dhe duket se Partia Socialiste e ka ‘kyçur gojën’ duke mos lejuar të rrjedhë asnjë emër. Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla tha nga Fieri se PS ka gati një listë të shkurtër me emrat përfundimtarë dhe se në mbledhjen e sotme të kryesisë së PS do të diskutohet për të vendosur se kë do të propozojë në seancën që do të zhvillohet më 4 qershor për votimin e presidentit.
Balla tha se maksimumi deri në orën 12.00 të 4 qershorit emri i presidentit të ri do të jetë depozituar bashkë me firmat mbështetëse në Kuvend.
“Mos hyni për diskutimin e emrave edhe për pak orë. PS do të mbledh kryesinë në orën 17 dhe do të zhvillohen disa diskutime që i kemi zhvilluar në disa mbledhje të njëpasnjëshme dhe në fund të këtij procesi do të shkojmë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS prej ku buron edhe mbështetja që përcakton kushtetuta. Duhen 20 firma deputetësh që të hysh në garë. Ne kemi një listë të shkurtër përfundimtare e cila do të marrë edhe shqyrtimin nga kryesia dhe vendimin përfundimtar të grupit parlamentar. Mua nuk më lejohet të hyj në asnjë diskutim emrash në këto momente sepse askush prej nesh nuk ka të drejtën të kalojë mbi kompetencën e kryesisë e të grupit parlamentar. Ne do të shkojmë nesër maksimumi në orë 12:00 me një emër te depozituar bashkë me firmat mbështetëse”, tha Balla.
Balla u pyet edhe për emra konkretë të lakuar në media si ai i Fatos Nanos, Gramoz Ruçit apo Majlinda Bregut. Ai tha se të gjitha emrat e përmendura janë figura të vlerësuara, por që nuk mund të bënte komente pasi do të sillte humbje të besimit te procesi.
Balla shprehu bindjen se në seancë e 4 qershorit do të zgjidhet presidenti i ri i cili merr detyrën në 24 korrik.
“Por duhet të jemi shumë korrekt në atë që transmetoni ju si lajm. Kryesia e Partisë Socialiste dhe grupi parlamentar janë dy institucionet që mblidhen për të diskutuar për emrin që do të propozojmë zyrtarisht, dhe ai do të jetë presidenti i ri për sa kohë që opozita për asnjë moment nuk e mori përgjegjësinë e një procesi që duhet të ishte i përbashkët. Ata të vinin me propozime, ne i garantuam që propozimet e tyre do t’i marrim seriozisht. Nuk donin të bëheshin pjesë e këtij procesi. Tani raundin e katërt e kemi ne dhe kam bindjen e plotë së nesër në orën 18:00 do të zgjidhet presidenti i ri i cili merr detyrën në 24 korrik. Unë përsëri do të vazhdoj të insistoj që emri që ju përmendni apo emra të tjerë janë shumë të vlerësuar ndaj nuk kemi dashur që të bëjmë një debat publik për emrat. Hedhja me pa të drejtë e shumë emrave nuk i bën mirë kredibilitetit të procesit”, tha Balla.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri tha se emri i presidentit të ri do të mësohet pas mbledhjes së Kryesisë së PS.
“Një nga defektet që do ia vendosja në dukje opozitës, është që ishte e paaftë për të diskutuar emra. Për aq kohë sa jemi pjesë një forumi të lartë të PS, aty do të diskutohen të gjitha emrat. Mos u bëni të pa durueshëm, sot pasdite do të mësoni dhe emrin e kandidatit që do e bëj siç duhet rolin e Presidentit”, tha Gjiknuri.
Sot në orën 17.00 do të mblidhet kryesia e PS-së për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Pas dështimit të 3 raundeve të para për mungesë të kandidaturave për President, duket se në raundin e katërt PS është e vendosur të bëjë zgjedhjen e saj. Siç e përcaktojnë edhe procedurat kushtetuese, në raundin e katërt dhe të pestë (nëse do të ketë një raund të tillë) Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë në Kuvend, pra me 71 vota.
Ndërsa më 4 qershor në orën 18.00 do të bëhet edhe votimi i Presidentit të ri të vendit.
/rtsh.al/