E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bajram Begaj kreu i ri i shtetit, Rama: I kemi dhënë Shqipërisë një President normal

“I kemi dhënë Shqipërisë një president normal”, kështu e konsideroi kryeministri Edi Rama zgjedhjen në krye të shtetit të Bajram Begajt. Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Rama u shpreh se figura e Begajt është e pakontestueshme në aspektin e integritetin dhe se PS ka arritur objektivin e saj në këtë drejtim.

“Kemi arritur objektivin që kemi pasur dhe të gjitha reagimet flasin për këtë, natyrisht përjashtuar ndonjë reagim pa lidhje të hapësirës politike, flas përtej saj. I kemi dhënë Shqipërisë një President normal, një figurë të pakontestueshëm në aspektin e integritetit, humanizmit dhe të përkushtimit për vendin dhe njerëzit. Partia Socialiste është këtu për Shqipërinë, për të bërë më të mirën që vendimet, aktiviteti ynë si shumicë qeverisëse të shkojnë në interes të vendit dhe gjithë shqiptarëve, jo thjesht të njërës palë. Shqipëria, pas një periudhe dramatike në zyrën e kreut të shtetit, do të ketë një president normal për një vend normal dhe për funksionimin normal të institucionit të kreut të shtetit”, tha Rama.

Në lidhje me faktin se nuk pati një konsensus me opozitën, Rama tha se maxhoranca nuk ka pritur kurrë një konsnensus me të “vdekurit”, referuar ish-kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se kanë arritur konsensusin me qytetarët.

“Nuk e kemi kërkuar kurrë dhe as kemi pritur të kemi konsensus me të vdekurit, kemi qenë këtu për të patur konsensus me të gjallët, këtu flas për njerëzit që besojnë e punojnë në këtë vend dhe këtë konsensus e kemi arritur plotësisht me këtë figurë”, u shpreh ai.

Bajram Begaj është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro dhe 4 kundër dhe 1 abstenim në raundin e  katërt të votimit. Begaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, do të jetë presidenti i 8-të i vendit që pas shpalljes së pluralizmit. Ai u prezantua mbrëmjen e të premtes nga maxhoranca socialiste.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›