E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajram Curri, ringrihet biblioteka e qytetit

Fondi i librave është pasuruar edhe falë dhurimeve nga institutet dhe entet botuese kosovare

Trazirat e vitit 1997 në Bajram Curri nuk kursyen as bibliotekën e qytetit. Pjesa më e madhe e librave u dogjën dhe godina u shkatërrua. Drejtori i tanishëm i bibliotekës së qytetit, Avdyl Sula, tregon se në atë vit aty kishte më shumë se 70 mijë libra, nga të cilat nuk mbeti asgjë.

Dje

Ashtu siç ndodhi me institucionet e tjera që u sulmuan dhe u dogjën, persona të papërgjegjshëm mësynë edhe mjediset e bibliotekës ku, nën parullat se po zhdukim realizmin socialist, dogjën kopje të fondit të artë të letërsisë dhe shkencës botërore.

“Në korridorin e bibliotekës ku sot ekspozojmë titujt e rinj të librave, rrinte i ulur një person me kallash në dorë (pronar i truallit), i cili shiste me kilogram thasë me libra për kalimtarët”, kujton drejtoi Sula ato ditë të zeza të librit të Bajram Curri. Ai thotë se të gjitha rrugët e qytezës qenë mbushur me fletë librash, një pjesë e mirë e fondit u dogj, ndërsa pjesa tjetër u gris e më pas u shit si të ishte letër pa vlerë, me kilogram. Edhe lexuesit në atë kohë kanë jetuar në presion dhe të traumatizuar, pa guxuar dhe tentuar të ndalnin shkatërrimin e bibliotekës. Megjithatë, ka pasur njerëz, kryesisht intelektualë, përfshi edhe punonjës të bibliotekës, të cilët pikërisht për të shpëtuar diçka nga kjo pasuri kanë blerë me lekë në dorë nga “pronari i truallit” thasë me libra, ndërsa kopje librash të çmuar janë gjetur edhe në koshat e mbeturinave. “Disa libra i kam gjetur në koshat e mbeturinave dhe i kam pastruar me kujdes dhe sot i kemi për lexuesit”, thotë Avdyl Sula, duke treguar një stendë me libra të vjetër, ku bien në sy botime të vitit 1912, siç ishte libri “Parisi në rrugë t`njerëzisë” i Kolë Kodhelit, botime të hershme të veprës së Naim Frashrit, “Hylli i dritës” i vitit 1930, një polemikë e Mehdi Frashërit e vitit 1934 etj.

Sot

Fal punës këmbëngulëse dhe ndihmës së çmueshme të vetë lexuesve, një pjesë e të cilëve kishin ruajtur kopje të librave, biblioteka e qytetit ka në fondin e saj një numër të konsiderueshëm librash. Nga ana tjetër, dhjetëra libra të letërsisë artistike dhe studime shkencore që mbushin një stendë të veçantë janë dhuruar nga vetë autorët, dhe për fatin e mirë të poezisë shqipe, si dhe të shkencave, kjo trevë shquhet jo vetëm për numrin e autorëve, por edhe për cilësinë e tyre. Libra për Tropojën nuk dhurojnë vetëm autorët vendas, por edhe ata kosovarë, ente botuese dhe institute. Kështu, hap pas hapi kjo bibliotekë po rimerr terren duke afruar gjithnjë e më shumë lexuesit. “Kemi mundur të sigurojmë diku rreth 5 mijë tituj falë edhe dashamirësisë që tregojnë autorët dhe sidomos në Kosovë edhe institutet e ndryshme shkencore, si ai i albanologjisë etj.”, thotë Sula. Për një qytet me vetëm 8 mijë banorë, të sigurosh libra nuk është edhe aq e pakët, kur kemi parasysh mungesën e fondeve për blerje libri nga ana e shtetit, edhe pse ende nën juridiksion dhe në një farë mënyre edhe për detyrë. Nga regjistrat e këtij institucioni mësohet se numërohen rreth 800 lexues të librit, por numri i tyre sa vjen e rritet. Punëtorët e librit tregojnë se me gjithë zhvillimin e teknologjisë dixhitale, libri përsëri mbetet një burim besnik e i pazëvendësueshëm informacioni dhe edukimi. Përpjekja e punëtorëve të bibliotekës së Bajram Currit është dashur të mbështetet seriozisht nga pushteti, pasi krahas shtrimit të rrugëve dhe ndërtimit të infrastrukturës në tërësi, ajo e librit nuk duhet harruar, sepse ka të bëjë me të ardhmen.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›