E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katastrofa në Gjirin e Meksikës, 5000 fuçi nafte në ditë derdhen në det

Konsiderohet si katastrofa më e madhe detare e kohëve moderne

Ushtria amerikane është duke i shtuar maksimalisht përpjekjet për të ndaluar rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës, ndërkohë që është shtuar frika dhe shqetësimi në lidhje me përmasat e këtij incidenti. Bëhet fjalë për rrjedhjen e naftës pas shpërthimit të një pajisjeje në thellësi rreth një javë më parë. Si pasojë, rreth 5000 fuçi nafte në ditë mendohet që të derdhen në detin e Luizianës nga këta naftësjellës, që janë të një rëndësie kombëtare. Nëse situata do të vlerësohet shumë e rëndë, atëherë mund të merren masa evakuimi. Tashmë ajo që është e qartë, është se sasia e madhe e naftës që ka dalë nga e çara po drejtohet drejt brigjeve. Ndërkohë, “British Petroleum” e ka mirëpritur ftesën për ndihmë të ushtrisë amerikane për ta zgjidhur situatën. është shumë e vështirë që në kushte të tilla të gjendet saktësisht sasia e naftës që del çdo ditë nga e çara e madhe. Një matje e tillë nuk bëhet dot nga thellësia, por vetëm përmes mjeteve observuese nga sipërfaqja. Sasia prej 5000 fuçish në ditë është jashtëzakonisht e madhe dhe dëmet ekologjike që shkaktohen janë gjithashtu shumë të mëdha. E ndërkaq kanë nisur edhe spekulimet mbi përmasat e një katastrofe të tillë, e cila pas disa ekspertëve mund të jetë edhe derdhja më e madhe e naftës që ka ndodhur ndonjëherë. Sipas një specialisti, ndoshta e vetmja katastrofë e përmasave të tilla mund të jetë ajo e Kuvajtit në vitin 1991, gjatë luftës së parë të Gjirit. Sipas ekspertëve të florës dhe faunës detare, në raste të tilla shkatërrohet dhe helmohet pjesa më e madhe e specieve detare dhe e florës detare, duke qenë se nafta është shumë e dëmshme. Tashmë bëhet fjalë për arritjen e dy objektivave kryesore, atë të mbrojtjes së qenieve të nëndetit dhe të vetë brigjeve amerikane, që mund të pësojnë dëme të mëdha nga ndotja e madhe për shkak të derdhjes së sasive të mëdha të naftës. Ndaj, në këtë përpjekje janë përfshirë shteti dhe ushtria amerikane dhe agjenci të tjera të fuqishme. Përpjekjet më të mëdha kanë të bëjnë me thellësinë në të cilën ndodhet çarja, që mund të jetë rreth 1500 metra nën ujë. Një nga mënyrat që po përdoret është mbledhja e naftës nga sipërfaqja dhe fitorja e saj në disa kontejnerë të posaçëm. Ndërkohë, të gjitha kërkimet për burimin e kësaj çarjeje në thellësi shumë të mëdha kërkojnë një periudhë relativisht të gjatë kohe.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›