Shtyhet për javën tjetër emetimi i eurobondeve
Rritja e shpejtë e interesave të borxhit grek duket se ka bindur qeverinë shqiptare të shtyjë me një javë emetimin e eurobondeve shqiptare, njoftoi dje agjencia “Reuters”, duke cituar një burim bankar nga Britania e Madhe.
“Shqipëria ka në plan të debutojë në tregun e bondeve në euro javën e ardhshme, pas një prezantimi të kryer këtë javë,” shkruante dje “Reuters” duke cituar një burim bankar. Shqipëria pritej ta kryente emetimin e eurobondeve këtë fundjavë. Gjithsesi, për shkak të rritjes së shpejtë të interesave të bondeve si pasojë e krizës greke emetues janë tmerruar.
Kriza greke mund të mos e bllokojë procesin e emetimit të eurobondeve shqiptare, por me siguri që do të sjellë së paku çmime më të larta. Ky është mendimi i ekspertëve të pyetur nga agjencitë e huaja të lajmeve. Sipas agjencisë “Intelinews”, e specializuar për informacionin ekonomik në Europën Lindore, ekspertët ndërkombëtarë mendojnë se Tirana duhet të shtyjë për më vonë daljen në tregun ndërkombëtar të borxheve, duke cituar problemet e krijuara në Greqi. Vetëm një muaj më parë, ekspertët ndërkombëtarë qenë shumë optimistë për daljen e Shqipërisë në tregun e eurobondeve dhe shprehnin bindjen se procesi do të mbyllej me sukses. Situata tashmë është përmbytur. “Shtyrje për në vonë”, janë fjalët kyç që qarkullojnë.
“Duke parë gjeografinë e Shqipërisë, do të jetë shumë gallatë të blesh një borxh të cilësuar me B, pra me një vlerësim një gradë poshtë Greqisë, me interes 7 për qind. Kjo do të duket goxha spekulative”, deklaroi një menaxher fondesh në Londër i cituar nga agjencia “Reuters”.
Qeveria shqiptare zhvilloi një ceremoni prezantimi para pak ditësh në Londër, me shpresë se do të tërheqë investitorët për të blerë bondet e para sovrane të Shqipërisë. Normalisht Shqipëria i ka shanset të shesë një pjesë të bondeve që synon, por kriza greke duket se ka shtuar pasigurinë e investitorëve në lidhje me vendet në zhvillim. Interesat që investitorët kërkojnë për bondet e këtyre vendeve u rritën gjatë viteve të fundit pas përkeqësimit të krizës në Greqi. Qeveria e çekisë njoftoi dje se do të shtyjë emetimin e bondeve të veta sovrane në pritje të një situate më të mirë. Sipas ministrit të Financave, Eduard Janota, Praga nuk e ka të domosdoshme shitjen e eurobondeve dhe për këtë arsye po pret për një situatë më të mirë.
Kosto oportuneNjë ligj i miratuar në Kuvend autorizoi qeverinë të emetojë bonde në euro me vlerë jo më të lartë se 400 milionë euro dhe me normë interesi jo më të lartë se 7.5 për qind. Gjatë muajve të fundit, shumë vende me ekonomi të prapambetura si Shqipëria ia kanë dalë të emetojnë bonde me interesa të leverdishme. Rusia, e cila shpalli për herë të fundit falimentin jo më larg se viti 1998, arriti të emetojë 5.5 miliardë dollarë bonde pesë dhe dhjetëvjeçare me interesa që variuan në 4-5 për qind. Por dy javët e fundit, bondet e Greqisë kanë ofruar interesa deri në 12 për qind dhe nëse investitorët dëshirojnë të blejnë bonde të rrezikshme, mund të fitojnë më shumë në Greqi. Në këto kushte, Greqia, e cila ka tashmë vlerësim të ngjashëm me Shqipërinë nga agjencitë ndërkombëtare si “Standard & Poors”, shërben si mundësi zgjedhjeje për investitorët.
Plani i qeverisëQeveria shqiptare ka tërhequr deri më sot kredi me interesa bamirëse nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe dy kredi tregtare të njohura si “kredi sindikale”, që u lëshuan nga grupe bankash vendase dhe të huaja. Njëra prej këtyre kredive me vlerë 200 milionë euro, u tërhoq pas negociatash direkte me një grup bankash dhe interesi u rrit me ritëm galopant nga një fazë në tjetrën. Por problemi më i madh duket se nuk është vetëm interesi i lartë, por edhe diversifikimi i blerësve. Kur ke vetëm pak kredidhënës, është gjithmonë rreziku që të mbetesh peng i tyre kur të vijë koha për shlyerjen e borxhit. Për këtë arsye, qeveria synon të emetojë eurobonde me vlerë nga 50 mijë deri në 99 mijë euro, të cilat teorikisht do të blihen nga një numër i madh investitorësh. Në këtë rast, interesi përcaktohet nga tregu i hapur dhe jo nga negociatat direkte.
EurobondetBondet sovrane janë titujt e borxhit të klasit më të lartë, që emetohen nga huamarrësit më të besueshëm, të cilët njihen me emrin “Senior”. Ato janë të pagarantuara, gjë që do të thotë se huamarrësi mund të deklarojë falimentin në çdo kohë. Për këtë arsye, krijimi i besueshmërisë tek investitorët kërkon jo thjesht seriozitet, por edhe shumë kohë. Qeveria e një vendi që ka ruajtur stabilitetin për shumë dekada, mund të krijojë besimin e mjaftueshëm tek investitorët. Shqipëria nuk është në këto kushte, pasi vendi u përball me shumë trazira në dy dekadat e fundit.
#