E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajrami e Ahmeti, drejt Finlandës

Valon Bajrami dhe Liridon Ahmeti gjatë afatit kalimtar të janarit ka gjasa të mëdha që të transferohen në Finlandë. Për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit të KEK-ut dhe mbrojtësit të Trepçës, interesim ka shprehur PK-35, i cili para pak kohësh është përforcuar edhe me dy lojtarë të tjerë nga Kosova. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 22 dhjetor 2010 në ora 14:09

Skuadra finlandeze, PK-35 e ka kthyer kokën kah futbolli kosovar. Skuadra nga Liga e dytë e Finlandës po mendon ta shfrytëzojë afatin kalimtar të dimrit për t’u përforcuar me futbollistë nga Kosova, e jo nga Nigeria e Gana, siç kishte bërë deri më tani.

PK-35 gjatë këtij dimri pritet të përforcohet me futbollistin e njohur të KEK-ut, Valon Bajrami dhe me atë të Trepçës, Liridon Ahmeti. Ndërkohë, para pak kohëve, ky ekip qe përforcuar edhe me ish-futbollistin e Trepçës, Florent Sejdiu, dhe me ish-lojtarin e KEK-ut, Berat Grabovci.

Të dyja këto transferime në PK-35 ishin bërë nëpërmjet Ilir Zenelit, i cili është ndihmëstrajner në PK-35. Ndërkohë, drejtuesit e këtij klubi e kanë udhëzuar Zenelin ta hulumtojë edhe më tutje tregun e futbollistëve në vendlindjen e tij.

“Klubi është i kënaqur me transferimin e Grabovcit dhe Sejdiut. Andaj, udhëheqësia ma ka dhënë dritën jeshile të kërkoj edhe ndonjë përforcim tjetër nga Kosova”, deklaroi Zeneli për Express.

“Unë tashmë kam arritur marrëveshje në parim me Valon Bajramin dhe ai në muajin shkurt pritet t’i bashkohet ekipit tim, PK-35. Po ashtu, duam të përforcohemi edhe me një mbrojtës të majtë dhe për këtë pozitë po mendojmë të përforcohemi me Liridon Ahmetin. Jemi në bisedime me Ahmetin dhe gjasat ekzistojnë që edhe ai të na bashkohet në PK-35”, theksoi Zeneli.

Ai tregoi se PK-35 po bën përpjekje ta krijojë një ekip të fortë, sepse kjo skuadër, objektiv kryesor ka të ngjitet sa më shpejt që është e mundur në elitën e futbollit finlandez.

Në anën tjetër, edhe Bajrami ka konfirmuar se është në negociata me zyrtarët e PK-35, derisa nuk e fshehu dëshirën e tij që karrierën ta vazhdojë jashtë Kosovës.

“Berati Grabovci i ka propozuar ekipit të tij të përforcohen me mua. Më pas, unë jam njoftuar me Ilir Zenelin, kemi biseduar dhe ka mbetur që t’ia dërgoj ndonjë xhirim filmik të ndeshjeve të mia me KEK-un. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë. Sikurse çdo futbollist, edhe unë kam dëshirë që karrierën ta vazhdoj jashtë vendit”, tha Bajrami për Express.

Ndërsa, edhe Ahmeti konfirmoi se është në bisedime me zyrtarë të PK-35. Por ai tregoi se karrierën mund ta vazhdojë edhe në futbollin e Ukrainës, Azerbajxhanit dhe Shqipërisë.

“Jam në bisedime me PK-35, por po mundohem ta rregulloj një pasaportë për t’i shqyrtuar mirë edhe disa mundësi të tjera që i kam për të luajtur në Ukrainë, Azerbajxhan dhe Shqipëri. Por, edhe PK-35 nga Finlanda është në opsion për mua. Besoj se vendimi im i fundit do të jetë i duhur”, ka thënë Ahmeti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›