E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cottbus kërkon Ramën

Energie Cottbus është i interesuar që gjatë afatit kalimtar të janarit ta transferojë Valdet Ramën. Sulmuesi kosovar pritet të largohet nga Hanoveri, pasi ka mbetur jashtë ekipit. Nga Driton Berisha driton.berisha@gazetaexpress.com më 22 dhjetor 2010 në ora 14:08

Largimi i Valdet Ramës nga Hannoveri është vetëm çështje kohe. Mosaktivizimi me ekipin e parë në asnjë ndeshje këtë sezon, ka shtyrë sulmuesin kosovar të kërkojë largim nga skuadra e Bundesligës.

Ndërsa interesimi i skuadrave për ta transferuar Ramën nuk është i vogël. Energie Cottbus, që po synon rikthimin në elitën e futbollit gjerman, ia ka mërsyer reprezentuesit të Kosovës, të cilin dëshiron ta transferojë në afatin kalimtar të janarit.

“Energie Cottbus me sulmin më të mirë në ligë, dëshiron që ta transferojë edhe një sulmues. Bild ka mësuar se ai është sulmuesi i Hannoverit, Valdet Rama”, shkruante të martën e përditshmja gjermane, Bild.

Edhe trajneri i klubit nga Bundesliga 2, Klaus-Dieter Wollitz, e ka konfirmuar se do ta transferojë një sulmues, mirëpo nuk e ka treguar emrin e tij. "Gjatë dimrit do të sjell edhe një lojtar të fortë në repartin defanziv. Ai është i shpejtë, i ri dhe i gjithanshëm ", ka thënë ai.

Valdet Rama po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Sulmuesi kosovar ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje këtë sezon me skuadrën e Hannoverit në Bundesligë, edhe pse është në formë të mirë.

Trajneri Mirko Slomka, në 17 ndeshje sa janë zhvilluar deri më tani në elitën e futbollit gjerman, nuk e ka preferuar sulmuesin me prejardhje nga Mitrovica, të cilin përveçqë nuk e ka inkuadruar në lojë, rrallëherë e ka ftuar edhe në 18’sh.

“Sipas të gjitha gjasave, do të largohem nga Hannoveri. Normal që nuk jam i kënaqur, pasi trajneri nuk po më jep rastin të luaj, edhe pse e meritoj. Mirëpo, ato janë punët e tij dhe ai vendos se kush do të luajë”, ka thënë Rama ditë më parë për Express.

Në verën e vitit 2009, Rama nga skuadra Ingolstadt 04 u transferua te Hannoveri, me të cilin ekip ka kontratë deri në verë të vitit 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›