Bajrami në Bylis

Skuadra e KEK-ut ka mbetur pa njërin prej futbollistëve kyçë të saj. Fjala është për Valon Bajramin, i cili në gjysmësezonin e dytë do të aktivizohet në Superligën e Shqipërisë me skuadrën e Bylisit.
Lajmin e ka konfirmuar vetë mesfushori 24-vjeçar. Ai tregoi se ka arritur marrëveshje me drejtuesit e klubit nga qyteti i Ballshit, derisa pohoi se kontratën me zyrtarët e klubit të tij të ri do ta nënshkruajë më 3 janar të vitit që po vjen.
“Kam arritur marrëveshje me drejtuesit e Bylisit. Më 3 janar do ta nënshkruaj kontratën për gjashtë muaj. Transferimin tim e ka ndërmjetësuar menaxheri Alfred Bode, me të cilin do të bashkëpunoj edhe në të ardhmen”, deklaroi Bajrami, shërbimet e të cilit kohëve të fundit dëshironte t’i siguronte edhe klubi nga Liga e parë e Finlandës, PK-35.
“Jem i kënaqur me kushtet që m’i ka ofruar skuadra e Bylisit. Shpresoj të kem sukses me këtë ekip. Gëzohem që tani do të luaj në një ligë më të fortë dhe në një kampionat të organizuar më mirë. Shpresoj që nga aty të transferohem në ndonjë klub tjetër, në ndonjë ligë edhe më të fortë”, theksoi Bajrami, i cili në pjesën e parë të këtij kampionati ishte bartës i lojës të cilën e aplikonte KEK-u.
Bajrami në Bylis do të transferohet si futbollist i lirë, pasi kontrata e tij me KEK-un ka skaduar me të përfunduar pjesa e parë e kampionatit.
Bylisi pjesën e parë të kampionatit shqiptar e ka përmbyllur duke u radhitur në vendin e dhjetë të tabelës së klasifikimit me 15 pikë të tubuara, gjashtë më shumë se Elbasani që gjendet në vendin e fundit të tabelës.
Mziu, mes KEK-ut dhe Drenicës
Drenica, KEK-u dhe Trepça ’89 kanë zgjuar interesim për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit Afrim Mziu, kontrata e të cilit ka skaduar me Trepçën me të përfunduar pjesa e parë e kampionatit.
Kështu ka thënë vetë Mziu, i cili tregoi se është në negociata me zyrtarët e të tri këtyre skuadrave. Por ai theksoi se më afër arritjes së marrëveshjes është me drejtuesit e Drenicës dhe ata të KEK-ut.
“Jam në bisedime me disa skuadra, si me KEK-un, Drenicën, Trepçën ’89, etj. Por, më afër jam të arrij marrëveshje me Drenicën dhe KEK-un. Gjatë javës së ardhshme, pritet të sqarohet e ardhmja ime se për cilin ekip do të luaj në pjesën e dytë”, tha Mziu, i cili përjashtoi mundësinë e vazhdimit të kontratës me ekipin e tij të deritanishëm, Trepçën.