Bajrami një pjesëlojë në fitoren e parë

Amsterdam, 23 gusht - Mesfushori kosovar Emir Bajrami ka luajtur vetëm pjesëlojën e parë për Twenten, që të shtunën mbrëma fitoi 3:0 si mysafir kundër Vitesses. Ndeshja i takonte javës së tretë të kampionatit holandez. Për kampionen në fuqi, Twenten, kjo ishte fitorja e parë pas dy barazimesh pa gola. Me pesë pikë të mbledhura, Twente renditet e pesta. Bajrami ishte futbollisti i vetëm shqiptar që u aktivizua në javën e tretë të kampionatit holandez. Shkodran Metaj, Erton Fejzullahu, Flamur Kastrati e Samir Fazli nuk u aktivizuan fare.