Nje album per Nene Terezen
Në ditët e fundit të këtij viti, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve njofton aktivitetin e fundit që do të organizohet për nder të Nënë Terezës. Nesër, ora 11.00, në hollin e selisë së Kryeministrisë do të organizohet ceremonia e promovimit të librit ilustruar dhe me fotografi “Nëna e Bamirësisë” me autor Don Lush Gjergji. Ky aktivitet, i organizuar nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, është i disati që organizohet në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, i shpallur si vit i bamirëses me origjinë shqiptare. Ekspozita, koncerte, botime, konkurse kanë qenë pjesë e një programi të shpallur gati në gjysmën e dytë të vitit. Ndërkohë, 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës është festuar në shumë vende të botës. Mes aktiviteteve ka pasur edhe iniciativa private, një pjesë e tyre të prezantuara edhe në Shqipëri siç ishte ekspozita e çelur në Bibliotekën Kombëtare “Në gjurmët e Nënë Terezës së Kalkutës” e fotografeve italiane, Elisa Venturelli e Federica Miglio.