E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-Këneta mbytet nga plehrat

Rruga Gjelbërimi në zonën e ish-Kënetës së Durrësit

DURRES/ Ankesa për mungesën e gjelbërimit në një prej zonave më të populluara.

Banorët: Jemi pjesë e qytetit, të hiqen para verës.

Ndonëse paguajnë taksa si çdo familje dhe subjekt tjetër në Shqipëri për gjelbërim dhe pastrim, banorët e zonës së ish-Kënetës nuk kanë as gjelbërim dhe as pastrim. Fondet që Bashkia e Durrësit mbledh nga kjo taksë janë të konsiderueshme, por e tillë nuk është puna që kryhet. Teksa ankohen se prej vitesh në lagjen e tyre (Lagjja 14) nuk është investuar për pastrim dhe gjelbërim, banorët thonë se mbetjet urbane nuk pastrohen çdo ditë. Sipas tyre, plehrat qëndrojnë pa u pastruar për një periudhë të gjatë në anë të rrugës, ndërsa shtojnë se i tremben faktit se mund të marrin ndonjë sëmundje nga qëndrimi i madh i mbetjeve urbane në ambiente të hapura dhe të pakontrolluara. “Tashmë që jemi në prag të verës edhe temperaturat kanë tendencë gjithnjë e në rritje, prania e mbetjeve urbane pranë banesave është një rrezik shumë i madh për të gjithë banorët e zonës së ish-Kënetës. Në disa vende nuk ka kazanë, ndaj edhe mbetjet urbane qytetarët i hedhin nëpër cepat e rrugëve, siç është edhe rasti në fjalë. Kohët e fundit kazanët e mbeturinave janë vjedhur për t’i shitur për skrap. Prandaj u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që merren me këtë punë, të pastrojnë dhe dezinfektojnë çdo ditë kazanët e mbeturinave, si dhe t’i zëvendësojnë kazanët e vjedhur me të rinj”, shprehen ata. Në Durrës, familjet dhe subjektet tregtare paguajnë nga 200 deri në 5000 lekë në vit për gjelbërimin dhe pastrimin. Një paradoks në këtë zonë është dhe emërtimi i një rruge me emrin “Gjelbërimi”. Në fakt, sikur Bashkia e Durrësit të mos ndërmerrte nismën për vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve në qytet, kjo do të ishte një prej shumë rrugëve të pagjelbëruara e të mbushura me plehra. Zona e ish-Kënetës në Durrës përfaqëson afro gjysmën e popullsisë së qytetit. Sipas të dhënave të Bashkisë, qyteti ka një sipërfaqe të përgjithshme të gjelbëruar prej afro 200 mijë metrash katrorë. Kështu, mesatarisht, çdo banori i takon 0,9 metra katrorë gjelbërim. Pavarësisht ndërhyrjeve të Bashkisë duke “gjelbëruar” emrat e rrugëve, sipërfaqja e gjelbër nuk është shtuar dhe raporti i saj me popullsinë është ndër më të vegjlit në vend dhe shumë larg standardeve.

Gjelbërimi
Parku “Rinia”, në Kodrën e Vilës në Durrës, tashmë gati nuk ekziston më. “Mushkëria e gjelbër” e qytetit nuk kryen më këtë funksion. E njëjta situatë paraqitet edhe në zona të tjera të gjelbëruara të qytetit bregdetar. Ato janë: lulishtja në hyrje të Durrësit dhe te Stacioni i Trenit, lulishtja “1 Maji” përballë godinës së Alb Telecom, lulishtja në sheshin ‘Liria” në qendër, shëtitorja bregdetare etj. Janë zhdukur ose janë në gjendje të amortizuar.

DURRES/ Leonidha Musaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›