E Diel, 1 Nëntor 2026

Bakaj, edhe “ëngjëll” edhe “djall”Sulmuesi i Dinamos: Dakord, bëj gabim. Por keni parë si më ndërhyjnë?. “Kam një kërkesë për gjyqtarët; të mos ndikohen vetëm nga karakteri im impulsiv. Në fushë ndodhin gjëra edhe më të rënda”

Është thuajse 22 vjeç, megjithatë Elis Bakaj është kthyer në një personazh të futbollit shqiptar. Sigurisht, në disa raste pozitiv, por edhe në disa raste negativ. Pozitiv sepse ka çuar skuadrën e tij disa herë tek fitorja (flitet për Partizanin) dhe negativ, sepse duket se nuk mund t’I rrijë dot larg kartonave. “Kam qenë 16 vjeç kur kam nisur karrierën time si futbollist në kategorinë superiore me Partizanin. E imagjinoni dot një djalë të kësaj moshe që i duhet të krijojë personalitet në fushë dhe shpejt madje. Ky jam unë”, të thotë Bakaj, kur e pyet për impulsivitetin e tij, nganjëherë të teperuar në fushë. Flet sinqerisht sepse kështu do të flasë. Ai do t’I thotë të gjitha. E pranon që në disa raste është fajtor për ndëshkimet, por në shumë raste të tjera ka qenë pa faj. “Unë dua që t’I shikojnë më me kujdes ndërhyrjet ndaj meje. Janë shumë të ashpra dhe më rrezikojnë. Sigurisht nuk dua të justifikohem, sepse edhe unë kam fajet e mia”, sqaron Bakaj në një intervistë pa “doreza”.

- Shumë kartona dhe vijojnë të shtohen çdo javë. Përse ndodh kjo?

- Kjo është një gjë që tani dihet dhe nuk kam përse ta përforcoj unë edhe njëherë. Karakteri dhe impulsiviteti im në shumë raste më tradhëton. Unë nuk jam bërë kështu, unë kam qenë gjithnjë kështu. Jam një tip impulsiv, por nuk mund të bëj dot gjë për ta ndryshuar kaq shpejt. Acarohem në fushë dhe ndonjëherë e teproj, por gjithnjë me fjalë. Por realisht a e keni parë sesi më ndërhyjnë mua në lojë? Unë dua që të përpara se të më paragjykojnë mua, të shikojnë se çfarë ndërhyrjesh më bëjnë kundërshtarët. Më rrezikojnë edhe karrierën ndonjëherë. Pra, cilido nga ata që më paragjykon dhe mendon se unë jam ‘delja e zezë’ i ftoj të shikojnë dhe të provojnë ndërhyrje dhe dëmtime që kam provuar unë dhe pastaj le të durojnë deri në ekstrem. Sigurisht unë bëj gabim në disa raste, por shumicën e kartonave që kam marrë e kam marrë pa faj, vetëm sepse guxoj të kërkoj arsyet e disa vendimeve që në fund të fundit kanë të bëjnë direkt me mua.

- Nuk është se keni një raport të mirë me gjyqtarët. Nga se vjen kjo?

- Sapo e thashë. Në disa raste unë e teproj dhe ndëshkohem me të drejtë. Por, në disa të tjera më ndëshkojnë, sepse mendojnë se duhet të më japin karton. Ndoshta u dukem antipatik në fushë, nuk e di realisht se çfarë mendojnë, kur unë guxoj t’I pyes, ata gjithnjë më ndëshkojnë.

- Mendoni se e keni tepruar me fjalorin ndonjëherë në dëm të gjyqtarëve? Mos ndoshta kjo sjell edhe ndëshkimin tuaj?

- Unë në fushë flas si të gjithë lojtarët e tjerë. Madje, nëse doni të dini, ka lojtarë që flasin shumë më rëndë. Ka lojtarë që ofendojnë gjyqtarin, por ai nuk denjon të nxjerrë karton dhe bën sikur nuk dëgjon. Realisht në Kavajë nuk ishte faji im. Pra, shkaktova një faull dhe i thashë gjyqtarit që nuk ishte. Ai direkt më nxorri të verdhën. U çudita. Tani më duhet të mungoj edhe ndaj Peqinit.

- Në pesë ndeshje keni luajtur vetëm dy për shkak të kartonave. Një gjë e tillë duket se po bëhet problematike…

- Sigurisht që është problemtatike. Ju kujtoni se unë dua që të marr kartona dhe të mos luaj? Unë jam futbollist profesionist dhe sa shkatërroj unë veten me faktin që një ndeshje luaj dhe një s’luaj nuk mendoj se e di njeri. Por, nuk është në dorën time. Sapo e thashë që marr kartona edhe kot.

- Çfarë kërkon Bakaj?

- Që të respektohet rregullorja për të gjithë, ashtu siç bëhet me mua. E thashë që ka shumë lojtarë, të cilët jo flasin, por fyejnë gjyqtarin dhe nëse të gjithë do të ndëshkoheshin, atëherë ndeshja do të përfundonte me tetë lojtarë gjithsej për të dyja skuadrat. Për të mos përmendur më pas ndërhyrjet që më bëhen. Pra le të shikohen dhe gjykohen të gjitha. Ashtu siç ndëshkohet Bakaj. Përse nuk përdoret prova televizive për atë që më bëjnë mua në ndeshje.

- Kjo vjen nga impulsiviteti juaj, apo nga fakti se provokoheni shpesh nga kundërshtarët?

- Sigurisht që edhe provokohem. Dhe është normale deri në njëfarë pike. Pra, çdo trajner kundërshtar do të gjejë pikën e dobët të kundërshtarit dhe i porosit lojtarët e tij që të synojnë atë.

- E shikoni veten si pikë të dobët të skuadrës suaj?

- Nganjëherë bie pre për shkak të personalitetit tim. Por, jo gjithmonë. Mos harroni që unë e kam filluar futbollin e kategorisë superiore që 16 vjeç me Partizanin dhe kjo nuk është e lehtë. Pra, një 16-vjeçar që përballet me një presion aq të madh duhet të krijojë personalitet që në fillim. Dhe unë ndoshta e krijova më shpejt se ç’duhet dhe u gabova. Por, shpresoj që të ndryshoj dhe jam i sigurtë se me kalimin e kohës ky impulsivitet do të venitet.

- A keni folur me trajnerin Muça. Po ai çfarë ju ka thënë?

- Më ka thënë ato gjëra që duhet të thotë një trajner. Pra, që të mos revoltohem. Që të mos replikoj dhe të tjera si këto. Sigurisht unë e di shumë mirë, por nganjëherë nuk e kontrollon dot veten.

- Për çfarë të vjen inat më shumë pas një ndëshkimi në fushë?

- Për faktin që pendohem pas pesë minutave për fjalët e tepërta që thashë. Nganjëherë pak më shumë kontroll mbi veten dhe gjestet nuk bën keq.

- Të gjithë kanë një pyetje në mend. Kur do të “piqet” ky Bakaj?

- Sikur të ishte me buton, ok, po e shtypja dhe gjithçka do të përfundonte. Por, fatkeqësisht nuk është e gjitha në dorën time. Dhe jo se nuk e përballoj dot presionin. Por, sepse kështu e kam nisur ta përballoj futbollin në moshën time më delikate.

- Çfarë kërkese ke për gjyqtarët që të kanë me “sy të keq”?

- Unë vetëm i them që të njohin Elisin jashtë fushe. Nëse do ta bëjnë këtë, atëherë ndoshta nuk do të më shikojnë më si “të keqin”. Sigurisht në fushë jam pak impulsiv dhe kjo nuk ndodhi vetëm këto pesë javë. Madje unë kam marrë karton të kuq edhe në ndeshje miqësore. Por, jam i drejtë dhe nuk i duroj dot padrejtësitë, prandaj kam atë reagim ndonjëherë. Por, jashtë fushe jam një tip që nëse do të qëndroje me mua, pyetja e parë që do të bëje është, ‘a ka mundësi të jesh ti ai Bakaj që merr karton në çdo ndeshje’.

Marre nga Sport Ekspres

E Merkure, 22 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›