E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi: “Po jua sjell sërish Milanin në Tiranë”Miqësorja për trofeun “Taçi Oil” do të zhvillohet në muajin shtator. Legjenda Daniele Masaro: “Shqipëria është shndërruar në atdheun tim të dytë”

DASH FRASHERI - Edhe pse tani është “regjur” me futbollin e spektaklin që të dhuron ai, Rezart Taçi, presidenti i kompanisë “Taçi Oil International”, nuk mundi të fshehë emocionet gjatë fjalës së tij përshëndetëse në konferencën për shtyp për promovimin kampingut të dytë të “Milan Junior Camp Tirana”, pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati edicioni i kaluar, ku morën pjesë rreth 350 fëmijë të moshave nga 8 deri në 16 vjeç.

“Të jesh promotori i këtij aktiviteti çdo vit është një kënaqësi e madhe. Është shumë e rëndësishme për një kompani të re, si ‘Taçi Oil International’ të jetë i pranishëm në iniciativat, të cilat ndihmojnë vendin tonë të rritet, dhe kjo me Milain është një rast i mrekullueshëm për t’u dhuruar një ëndërr të rinjve shqiptarë.

“Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë zotin Galiani, administratorin e deleguar të Milanit dhe një prej miqve më të mirë të Shqipërisë, pasi me emrin e Milanit, imazhin që ai përçon, yjeve të tij që erdhën në Shqipëri, duke qenë një ngjarje e madhe për sportdashësit shqiptarë. Dëshiroj të falënderoj Fabricio Galianin, djalin e Andrea Galianit, i cili ka ardhur këtu me porosinë e të jatit për të njohur dhe ai nga afër pritjen e ngrohtë që të jep vendi ynë.

"Dua të falendëroj Galianin edhe për një dhuratë të jashtëzakonshme që më bëri, kur më dha në Milano një fanellë të Milanit për djalin tim dy muajsh, Ilirin”, - tha Taçi, duke falendëruar edhe një ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Saba D’Elia”.

Këtë vit kampingu do të zhvillohet nga datat 6 deri më 10 korrik 2009, ku ashtu si dhe vitin e kaluar do të përzgjidhen pesë fëmijët më të dalluar e premtues, të cilët do të ftohen në Milano për të marrë pjesë në një ceremoni të madhe në “San Siro” së bashku me djem të tjerë që do të vijnë nga kampinget e tjera “Milan Junior Camp” nëpër botë.

Vitin e kaluar këtë fat e patën Andriko Gurma, Dean Lici, Mikel Brahlika, Erli Çupi dhe Alketo Gjipali, të përzgjedhur midis 350 fëmijëve për të marrë në pjesë në shoun e madh të “Milan Junior Day” (MJC), të organizuar në Milano nga data 18 e 19 tetor. Në “MJC” morën pjesë më shumë se 300 fëmijë e të rinj të ardhur nga rreth 30 vende të ndryshme të botës ku u zhvillua “MJC 2008”.

 Ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia, e vlerësoi bashkëpunim midis Milanit e “Taçi Oil International”, duke e ndjerë veten shumë të nderuar. “Ky është bashkëpunimi më i bukur midis të rinjve italianë me ata shqiptarë, i popullit italian me atë shqiptar. Është një lidhje që bashkon dy gjenerata”.

Kampingu i parë i Milanit

“Milan Camp Junior Tirana” u organizua për herë të parë në Shqipëri në verën e vitit 2008, nga data 30 qershor deri më 4 korrik, në të cilën morrën pjesë reth 350 fëmijë nga mosha 8 deri në 16 vjeç. Fëmijët u trajnuan nga grup prej 13 trajnerësh italianë të ardhur enkas nga Italia. Sarandioti i vogël Andriko Gurma u përzgjodh nga stafi teknik si lojtari më i talentuar i turneut duke “pronësuar” edhe bluzën origjinale me numër të firmosur nga vetë kapiteni legjendar i Milanit, Paolo Maldini.

Gurma mahniti specialistët

Një talent shqiptar i dalë nga “Milan Junior Camp Tirana” mahnit specialistët në “Milan Junior Day” (MJC). Andriko Gurma, idhulli i të cilit është Andrea Pirlo, shënoi golin që çoi skuadrën “shumëkombëshe” të tij në finale, e më pas magjinë e tij i dha asaj edhe trofeun e “Milan Junior Day”. Një tjetër kujtim i bukur i “binjakëzimit” të futbollit shqiptar me atë italian, pas pjesëmarrjes së Milanit në trofeun e parë ndërkombëtar “Taçi Oil Albania Reads”, i fituar nga Tirana (2-1).

Pesë shqiptarë në “San Siro”

Pesë fëmijët më të talentuar të kampingut shqiptar të Milanit, Andriko Gurma, Dean Lici, Mikel Brahlika, Erli Çupi dhe Alketo Gjipali, të përzgjedhur midis 350 fëmijëve për të marrë në pjesë në shoun e madh të “Milan Junior Day” (MJC), të organizuar në Milano nga data 18 e 19 tetor. Një festë tradicionale, që mbyll për këtë vit kampet kuqezi në shumë vende të botës të organizuara si në Tiranë. Në “MJC” morën pjesë më shumë se 300 fëmijë e të rinj të ardhur nga rreth 30 vende të ndryshme të botës ku u zhvillua “MJC 2008”.

Sekretet e kuqezinjve për fëmijët shqiptarë

Sipas Françska Pietras, përgjegjëse e projektit “Milan Junior Camp” gjatë këtij viti do të marrin pjesë 15 mijë fëmijë nëpër kampingjet e 37 vendeve të botës të organizuar nga Milani.

“Kampingu këtë vit do të zhvillohet nga data 6 korrik deri më 10 korrik në Tiranë. Në këtë kamping do të marrin pjesë fëmijë nga mosha 8 deri në 16 vjeç dhe që dëshirojnë të mësojnë sekretet e futbollit milanist”, - tha Marko Skembri, drejtori i përgjithshëm i “Ëorld Camp”, pranë Milanit. “Pjesa më e madhe e aktivitetit do të zhvillohet në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ e kompleksin ‘Dinamo’ dhe në ambiente të tjera të ofruara në bashkëpunim më Federatën Shqiptare të Futbollit.

“Brenda 1 viti e gjysmë ne realizuam së bashku projekte të rëndësishme. Organizuam kampingun  “Milan Junior Camp”, sollëm skuadrën e parë për të zhvilluar një ndeshje miqësore në ‘Qemal Stafa’. Besojmë shumë se dhe këtë vit do të bëjmë të njëjtën gjë, t’u ofrojmë fëmijëve mundësinë për të veshur fanellën e Milanit. Pesë më të mirët e “Milan Junior Camp Tirana” do të ftohen në Milano për të dhënë një provë të talentit të tyre”, - tha Skembri.

 I pyetur nga “Albania-sport.com” në lidhje me fëmijët që u përzgjodhën vitin e kaluar dhe se çdo të bëhej në lidhjen me të ardhmen e tyre, Marko Skembri tha: “Në i ftuam ata në ‘San Siro’ ku ata patën mundësinë të jenë së bashku me disa qindra djem të tjerë nga e gjithë bota. Mbaj mend se njëri prej fëmijëve shqiptarë ishte shumë i talentuar (Andriko Gurma). Pa dyshim, që atyre, duke qenë në një moshë të vogël u duhet të punojnë shumë, por ne do të ndjekim ecurinë e tyre edhe këtë vit, e natyrisht që do të vijë koha që ndoshta edhe ndonjëri prej tyre të jetë pjesë e Milanit”.

Galiani, njeriu i Berluskonit: “U mrekulluam nga pritja”

Administratori i deleguar i Milanit e njëherësh numri dy i kuqezinjve, Adriano Galiani, edhe pse nuk mundi të vinte në Tiranë për shkak të impenjimeve të rëndësishme që ai kishte në agjendën e ti, ishte i “pranishëm” për publikun shqiptar përmes një video-mesazhi. “Do të doja shumë të isha me ju në Tiranë, por për shkak të punëve nuk munda dot. Megjithatë, dua t’i falënderoj për pritjen e ngrohtë kur erdhëm me Milanin. Po ju jap disa lajme të mira. Nisur edhe nga eksperienca e parë e bukur e “Taci Oil Albania”, Milani do të vijë sërish në Tiranë, besoj nga muaji shtator, do të zgjidhet një ditë e mërkurë, kur do të ketë ndeshje të ekipeve kombëtare, për të luajtur ndeshjen e dytë për trofeun ‘Taçi Oil Albania Reads”. Nga ana tjetër, dëshiroj t’iu jap lajmin se do të sjellim në Tiranë, në datat 16 e 17 maj në sheshin “Nënë Tereza” (“Di Kalkuta”, theksoi Galiani) kampin “Milan Park Tirana”, ku do të kenë mundësi të argëtohen të gjithë fëmijët se bashku me miqtë e familjet e tyre. Së fundi, “Milan Junior Camp” do të jetë sërish në Tiranë, ku nga 300-400 fëmijë që do të marrin pjesë, pesë prej tyre do të vijnë në “San Siro” në fund të muajit gusht. Forca Milan, forca Tirana” – e përfundoi mesazhin

“Virusi” i Interit

Për fatin e keq të organizatorëve italianë të konferencës, kompjuteri prej së cilit realizohej video-mesazhi “ngeci” dy herë. “Një mijë herë e kishim provuar gjatë testimeve dhe na eci për mrekulli, kësaj radhe që ishte zyrtare na eci ters”, -e kaloi me shaka Daniele Masaro. “Është për shkak të virusit të dërguar nga Interi”, - thirri me shaka një i pranishëm në sallë.

37 kampingje në botë

Këtë vit në 37 kampingjet “Milan Junior Camp” në pesë kontinentet do të marrin pjesë 15 mijë djem e vajza.

“Bilanci” i Milanit

Milani është sinonim jo vetëm i lavdisë italiane e futbollit spektakolar, por nga viti 1899 (vit i themelimit) ka në muzeun e tij 17 kampionate në Serinë A, 7 Liga Kampionësh, 3 Kupa Interkontintetale, 1 Botëror për klube, 4 Superkupa Europiane, 5 Superkupa të Italisë, 3 Kupa të Italisë dhe 2 Kupa të Kupave.

Masaro: “Shqipëria, tani atdheu im i dytë”

Daniele Masaro, ish-sulmuesit i njohur i Milanit dhe i Kombëtarës italiane, tashmë në detyrën e përgjegjësit të Marrëdhënieve me Publikun te Milani, “Il clubo piu titolato nel mondo” (klubi me më shumë trofe në botë) foli gati me tone patriotike. “Shqipëria është shndërruar për mua si një atdhe i dytë, e Tirana si një shtëpi e dytë. Jemi këtu në Shqipëri, pasi besojmë fort në potencialin e këtij vendi në botën e futbollit”, - tha Masaro, babai të cilit ka qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore një ushtar i burgosur në Shqipëri. Fakt, që Masaro e kujton shpesh, madje ka theksuar se babai i tij i ka folur me dashuri për Shqipërinë.

“Fëmijët që do të frekuentojnë ‘Milan Junior Camp’ do të kenë mundësinë të stërviten duke përdorur medotat e stafit teknik zyrtar të MIlanit. Për mua ky është një projekt i madh në Shqipëri, është një realitet i bukur. Madje, dua të kujtoj se familja Taçi i ka sjellë fat Milanit. Ishin të pranishëm  në ndeshjen Milano-Torino dhe fituam 5-1”, - përfundoi ish-golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve të vitit 1994.

Ideja e Silvio Berlukonit

Sipas presidentit të kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, ideja për të organizuar aktivitetin “Milan Junior Camp” edhe në Tiranë ka qenë e presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni. Gjatë bisedës me kryeministrin e Italisë, ky i fundit i kishte thënë se do të donte që të shtrinte projektin “Milan Junior Camp” edhe në Shqipëri, por për këtë i nevojitej një sponsor i fuqishëm. I menjëhershëm  ishte reagimi nga ana e drejtuesit më të lartë të “Taçi Oil”, i cili u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me klubin milanez.

Ronaldinjo e Sheva në Tiranë

Trofeu “Taçi Oil Albania Reads” solli për herë të parë në Shqipëri një nga ekipet më të dashura të sportdashësve shqiptarë. Në impiantin ndërkombëtar shqiptar “Qemal Stafa”  ishin jo pak, por dy fitues të “Topit të artë”, ukrainasi Shevçenko e brazilianin Ronaldinjo. Në superlistën kuqezi ishin edhe tre kampionë bote me Italinë: Alesandro Nesta, Filipo Inzagi e Andrea Pirlo, por dhe dy kampionë bote me Brazilin, Ronaldinjo e Dida. Me 17-herë kampionët e Italisë ishte edhe i vetmi lojtar në botë, i cili ka mundur të fitojë tre trofe të Ligës së Kampioneve me tre skuadra të ndryshme, holandezi Klarens Sedorf.

E bujshme, Tirana mundi Milanin

Tirana fitoi 2-1 kundër Milanit të madh, falë golave të Daniel Xhafës e Gjergji Muzakës, ndërsa për Milanin golin e nderit e shënoi Ronaldinjo në fundin e takimit. Tirana, që drjetohej atëherë nga trajneri boshnajko-kroat Bllazh Slishkoviç fitoi kështu trofeun e parë “Taçi Oil Albania Reads”. 

E Merkure, 22 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›