E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakojanis: Paktin e rrëzuan ekstremistët shqiptarë

Ministrja që firmosi marrëveshjen me Lulzim Bashën akuzon palën shqiptare

Rrëzimi i paktit detar me Greqinë është konsideruar nga qarqet e larta të politikës së këtij vendi si një humbje shumë e madhe. Dora Bakojanis, ish-ministrja e Jashtme që negocioi marrëveshjen me Lulzim Bashën, ka reaguar dje ashpër duke akuzuar shqiptarët që ishin kundër kësaj marrëveshjeje si "ekstremistë".

Një vit më parë, teksa ajo firmoste në Tiranë marrëveshjen deklaronte shumë e kënaqur që kjo ishte arritja më e madhe e politikës së jashtme greke. Deklarata u bë në prezencë të kryeministrit shqiptar Berisha e ministrit të Jashtëm Basha, të cilët miratuan faljen e një pjese të madhe të detit shqiptar.

"Së pari shpreh keqardhjen për anulimin prej gjykatës shqiptare të kësaj marrëveshjeje. Unë akuzoj qeverinë e re greke të Pasok, që nuk e dërgoi marrëveshjen për ratifikim në Parlament, pasi ajo ishte shume e rëndësishme për Greqine.

Madje, gjatë kohës që unë drejtoja Ministrinë e Jashtme, u mundova ta përfundoja atë sa më shpejt të ishte e mundur. Kjo marrëveshje duhej të dërgohej në Parlamentin grek që javën e parë që ai u hap, me qëllim krijimin e një atmosfere pozitive, e cila do të pengonte këtë fund aspak të këndshëm", ka thënë Bakojanis.

Sipas saj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është nxitur nga ekstremistët shqiptarë, me të cilët është bashkuar kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. "Së dyti, anulimin e marrëveshjes e kërkuan grupime ekstremiste në Shqipëri, ndaj përgjegjësia e Partisë Socialiste të Shqipërisë është se lideri i saj Edi Rama u bashkua me këto forca. Madje, ai e deklaroi kontestin e tij që prej datës 15 tetor të vitit të kaluar.

Më vjen keq që partia simotër e Pasok nuk mundi të kalojë stereotipat dhe të bjere dakord me këtë marrëveshje", ka thënë Bakojanis. Sipas saj, marrëveshja ishte pika kulmore e marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë ku sigurisht shteti shqiptar duhet të falte detin e tij, çështjen çame, ligjin e luftës etj në këmbim të "marrëdhënieve të mira".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›